Policia e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë ndërmarrë një aksion të përbashkët inspektimi në 21 auto parkingje në qytetin e Prizrenit, me qëllim të hetimit dhe parandalimit të veprës penale “Shmangie nga tatimi”.
Aksioni u zhvillua më 8 gusht, nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, në bashkëpunim me ATK-në, Drejtorinë Rajonale të Policisë dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar disa shkelje të ligjit, përfshirë:
* Moslëshimin e kuponëve fiskalë në të gjitha parkingjet e inspektuara;
* 9 punëtorë të paregjistruar;
* 5 parkingje pa arka fiskale;
* 2 biznese të paregjistruara;
* 2 biznese që operonin pa kontrata qiraje.
ATK pritet të ndërmarrë masat procedurale për secilin rast të evidentuar, ndërkohë që Policia do të vazhdojë me procedurat ligjore për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj në luftimin e krimeve ekonomike dhe fton qytetarët të respektojnë ligjin, duke kontribuar në ndërtimin e një ambienti të drejtë dhe ligjor për të gjithë./IndeksOnline/