Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin për krizën e thellë të energjisë që po godet bizneset në Kosovë, duke njoftuar se ndërprerja e papritur dhe e dhunshme e furnizimit me energji elektrike ka lënë jashtë funksionit mbi 200 kompani me më shumë se 10 mijë punëtorë.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini në një konferencë për media kritikoi ashpër veprimet e KEDS-it dhe Policisë së Kosovës, duke i cilësuar si “shkelje të rëndë ligjore” dhe “abuzim me autoritetin”.
“Sot po përballemi me një krizë të paprecedentë. KEDS, me asistimin e Policisë, ka ndërprerë energjinë për mbi 1,200 njehsorë elektrikë që përfshijnë më shumë se 200 kompani dhe mbi 10 mijë punëtorë, duke shkaktuar dëme të mëdha në ekonomi dhe imazhin e vendit,” tha Shahini.
Ai kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të kësaj fushate kundër bizneseve dhe hapjen e një dialogu të hapur mes bizneseve, KEDS-it, ZRRE-së dhe Qeverisë.
“Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, AKB do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në mbrojtje të bizneseve”, u shpreh Shahini.
Nga ana tjetër, përfaqësues të kompanive të prekura kanë shprehur shqetësimet e tyre. Ahmeti Kuçi nga kompania “Solid” në Suharekë, që merret me prodhimin e këpucëve dhe ka mbi 300 punëtorë, tha se veprimet e KEDS-it i kanë lënë pa zgjidhje.
“Kemi paditur KEDS-in dhe jemi të shqetësuar për faturat dhe kërkesën për garanci prej 15 mijë eurosh, pa arsye të qartë”, tha Kuçi.
Lumnije Hajdini, anëtare e AKB-së, shtoi se investitorët e huaj janë të shqetësuar dhe disa kompani pritet të humbasin punëtorë për shkak të krizës së energjisë./Telegrafi/