AKB: Bizneset pa kontratë furnizimi me energji rrezikojnë çkyçjen nga nesër

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka paralajmëruar se nga nesër, të gjitha bizneset që nuk kanë kontratë të vlefshme furnizimi me energji elektrike rrezikojnë të çkyçen nga rrjeti. Sipas hulumtimit të fundit të AKB-së, në Kosovë janë rreth 10,000 njësorë elektrikë të lidhur me rreth 1,030 biznese, nga të cilat mbi 700 kanë përfunduar procesin e nënshkrimit të marrëveshjes me një nga pesë furnizuesit e licencuar, ndërsa kanë mbetur më pak se 300 biznese pa kontratë, që përfaqësojnë afërsisht 3,000 njësorë elektrikë.

Pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Komerciale – Shkalla e Dytë, që i jep të drejtë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në zbatimin e rregullores për liberalizimin e tregut të energjisë, ZRrE dhe KESCO/KEK kanë bërë të ditur se do të ndërpresin furnizimin për të gjitha bizneset që nuk kanë marrëveshje të vlefshme.

AKB u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që ende nuk e kanë nënshkruar kontratën që ta bëjnë këtë urgjentisht sot, në mënyrë që të shmangin ndërprerjen e energjisë dhe pasojat ekonomike që mund të shkaktohen. “Respektimi i ligjit dhe vendimeve gjyqësore është i domosdoshëm për një treg të rregulluar e të drejtë. AKB do të vazhdojë betejën ligjore dhe do të bashkëpunojë me institucionet dhe furnizuesit e energjisë për të garantuar një proces sa më transparent dhe të drejtë për bizneset”, thuhet në reagim.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi