Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi ka reaguar sot pasi qindra biznese kanë mbetur pa rrymë për shkak se siç thonë nga KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja.
Ajvazi në një postim në Facebook ka ngritur shqetësimet që ka marr një kompani prodhuese në Kosovë, gjersa ka kërkuar që të mos shkohet me polici tek prodhuesit dhe të terrorizohen.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Ju lutem mos shkoni me i terrorizu prodhuesit me polici se nuk janë kriminelë!
Sapo mora telefonat nga një kompani prodhuese në Kosovë.
Një kompani me investitor të huaj (evropian), që ka lënë Serbinë për të investuar këtu, me rreth 20 milionë € investime, sot është vizituar nga policia për t’ia ndalur rrymën.
Kjo kompani ligjërisht nuk e plotëson kushtin me dalë në treg të lirë. Nuk ka mbi 10 milionë qarkullim, por ka pasur plane të qarta për zgjerim dhe punësimin e deri në 500 punëtorëve. Sot i është vendosur dryni.
E njëjta kompani gjatë fushatës së fundit është vizituar nga vetë Kryeministri në detyrë, i cili u krenua me investimin në Kosovë.
Sot ky investitor përballet me polici te dera…
Pyetja është: pse duhet me shku me polici me i terrorizu bizneset që kanë investuar miliona euro?
A është ky mesazhi që duam t’u japim investitorëve të huaj dhe prodhuesve tanë? Ndaluni. /Telegrafi/