Ajsbergu më i madh në botë po “shpërbëhet me shpejtësi” në disa “copa shumë të mëdha”

A23a, i njohur si ajsbergu më i madh në botë, po shpërbëhet me shpejtësi në copa gjigante, njoftojnë shkencëtarët e British Antarctic Survey (BAS).

Ky “megaberg” dikur mbulonte një sipërfaqe prej 3,672 kilometra katrorë dhe peshonte afro një trilion tonë metrikë, por tashmë është tkurrur në rreth 1,700 kilometra katrorë, sa madhësia e Londrës së Madhe.

Pas më shumë se 30 vjetësh i ngujuar në detin Weddell, në vitin 2020 u lirua dhe nisi të transportohej nga rrymat oqeanike.

Që prej majit, A23a ka ndjekur rrymën e fuqishme të njohur si Southern Antarctic Circumpolar Current Front, e cila e ka çuar drejt ishullit South Georgia.

Shkencëtarët thonë se ujërat më të ngrohta dhe ardhja e pranverës jugore po përshpejtojnë fragmentimin e tij.

Me shpërbërjen e A23a, titullin e ajsbergut më të madh në botë e mban tani D15a, me sipërfaqe rreth 3,000 kilometra katrorë.

Ekspertët paralajmërojnë se humbja e masave të mëdha të akullit është e lidhur me ngrohjen globale dhe pritet të ketë ndikime serioze në ekosistemet dhe rritjen e nivelit të deteve.

Kategoritë
BotaLajmeTë ndryshme