Nga e hëna deri të martën pasdite, shtatë avionë pasagjerësh në Poloni, Spanjë, Itali, Bullgari dhe Hungari u vunë në alarm për shkak të njoftimeve për bomba. Kontrollet nuk zbuluan eksploziv në asnjërin prej tyre, ndërsa ende nuk dihet se kush qëndron pas kërcënimeve dhe nëse ato janë të ndërlidhura.
Numri më i madh i kërcënimeve u raportua të martën në mëngjes, brenda vetëm disa orësh. Dy avionë u ulën në Varshavë, dy në Romë, ndërsa nga një në Murcia dhe Sofje.
Një avion i kompanisë polake LOT, në fluturimin LO286 nga aeroporti Heathrow i Londrës, duhej të ulej në aeroportin Chopin të Varshavës. Pas alarmit të marrë në orën 09:54, avioni u devijua drejt aeroportit Modlin, ku u ul në orën 10:01 me 181 persona në bord. Aeroporti Modlin u mbyll deri rreth mesditës. Zëdhënësi i aeroportit, Adam Szablowski, deklaroi për AFP se gjatë kontrollit nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Po atë mëngjes u kontrollua edhe një avion i kompanisë SAS, i cili kishte mbërritur në aeroportin Chopin nga Kopenhaga. Aeroporti vazhdoi punën pa ndërprerje, ndërsa autoritetet polake njoftuan se kërcënimi nuk u konfirmua.
Në aeroportin Fiumicino të Romës, brenda pak më shumë se një ore u ulën dy avionë të Ryanair pas kërcënimeve anonime, raportoi Sky TG24. Avioni i parë mbërriti nga Lisbona rreth orës 09:40, ndërsa i dyti nga Dublini në orën 10:44. Sipas mediave italiane, njëri prej avionëve u shoqërua deri në ulje nga avionë luftarakë të Forcave Ajrore italiane. Ekspertët kontrolluan avionët, pasagjerët dhe bagazhet, por nuk gjetën eksploziv.
Në Spanjë, një avion i Ryanair nga Manchesteri u ul në aeroportin e rajonit të Murcias në Corvera në orën 10:50. Nga avioni dolën 114 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit. Njësitë për çaktivizimin e eksplozivëve të Gardës Civile konfirmuan se nuk kishte eksploziv dhe aeroporti vazhdoi funksionimin.
Në Sofje, një avion u ul pas një kërcënimi të dërguar me email, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë, Ljubomir Nikolov. Mediat bullgare fillimisht raportuan se avioni vinte nga Izraeli, ndërsa televizioni bTV më vonë raportoi se vinte nga Bergamo. Linja e fluturimit nuk është konfirmuar zyrtarisht. Gjatë kontrollit nuk u gjet ndonjë pajisje shpërthyese.
Nikolov tha se nuk ka të dhëna për qëllime konkrete terroriste dhe se masat e sigurisë në aeroporte janë shtuar. Po atë ditë, kërcënime për bomba u raportuan edhe në gjykatat e Burgasit dhe Jambolit, si dhe në komunën e Jambolit.
Të hënën, një avion i Wizz Air që fluturonte nga Londra drejt Sofjes u devijua për në Budapest. Avioni u shoqërua nga një avion luftarak hungarez Gripen. Wizz Air më vonë njoftoi se nuk u gjet eksploziv dhe avioni vazhdoi fluturimin drejt Sofjes. Policia bullgare po vazhdon kërkimet për personin që dërgoi kërcënimin.
Mediat bullgare kujtojnë se më 18 tetor, një avion i Austrian Airlines që fluturonte nga Tel Avivi drejt Vjenës bëri ulje emergjente në Sofje pas një alarmi për bombë. Edhe në atë rast nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Rregullat dhe protokollet e rrepta të sigurisë në trafikun ajror kërkojnë që çdo kërcënim për bombë të trajtohet me nivelin më të lartë të kujdesit dhe masave të sigurisë, pavarësisht rezultatit përfundimtar të hetimit.
Hetimet e agjencive evropiane të sigurisë deri më tani nuk kanë konstatuar se të gjitha këto kërcënime janë pjesë e një aktiviteti të organizuar kriminal. Megjithatë, trafiku ajror evropian është vendosur nën masa të shtuara sigurie dhe kontrolli.
