Deputeti i zgjedhur i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, ka thënë të martën se partia e tij ka ende dyshime se a ta mbështesë liderin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.
“Mua nuk me pengon Kurti dhe askush. Por, e kam vendosur pikëpyetjen [për mbështetjen], marrë parasysh përvojën që e kemi pasur me kryeministrin Kurti në katër vjetët e kaluara”, theksoi Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Hoxha ishte në mesin e zyrtarëve të partive nga pakicat joserbe që Kurti i takoi më 3 prill për të biseduar për formimin e qeverisë së re të vendit.
Në rast se nuk arrihet marrëveshje për krijimin e një grupi të përbashkët, ai tha se mund t’i bashkohet grupit parlamentar të cilësdo parti, shqiptare apo joshqiptare.
“Nuk më ka thirrur askush nga Serbia, nuk kam marrë asnjë kërcënim, shantazh apo sugjerim”, nënvizoi Hoxha për REL-in.
Megjithëse nguli këmbë se nuk ka marrë asnjë sugjerim as nga Lista Serbe, Hoxha e pranoi se vazhdon të bashkëpunojë me partinë kryesore të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ai këmbënguli se është “e natyrshme” të bashkëpunojë me Listën Serbe dhe tha se ka bashkëpunim edhe me partitë shqiptare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Pak ditë pas përpjekjeve të Kurtit për t’i bindur partitë e pakicave joserbe për ta votuar qeverinë e tij, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha të martën se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.
Asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.