Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumri Abdixhiku ka thënë se kohët e partive shtet kanë mbaruar dhe janë të harruar për shqiptarët. Abdixhiku ka thënë se në demokraci pushteti sigurohet e nuk trashëgohet sikur të jetë në një monarki, raporton Ekonomia Online. Ai ka thënë se ka kaluar koha e axhamive politike ka marrë fund dhe se betejat në Kosovë nuk mund të fitohen me politika primitive.
“Partitë serioze do të duhej të i kishin menduar me kohë propozimin tonë. Përveçse jemi vonë, qeveri të pakicës nuk mund të ketë më në Kosovë. Nga viti 1989, nga 23 dhjetori 1989 në Kosovë vendos shumica. LDK e rikujton se në demokraci pakica nuk mund të vendos për shumicën, për populloni. Në demokraci pakicës i thonë opozitë, jo qeveri. S’mund të jesh qeveri pakicë. Ose je opozitë, ose je qeveri shumicë. Në demokraci pakica nuk e ndanë buxhetin, nuk kalon ligje, nuk imponon politika dhe nuk mund ta bllokojë vullnetin qytetarë të shprehur me votë të lirë, e as me zvarritje si kjo me mandatarin e dytë. Çdo Qeveri legjitime duhet të përfaqësojë shumicën qytetare, kur kjo shumicë nuk ekziston, vendi duhet t’i kthehet sovranit. Ajo çka sot na propozohet më shumë se demokracisë i ngjanë monarkisë. Në monarki mandati trashëgohet nga i babai te i biri, nga Albin te Glauki. Në monarki mandati mund të trashëgohet e në demokraci mandati sigurohet, tha Abdixhiku në konferencën për media.
Ai tha se Konjufca duhet ta kuptojë sa më parë që nuk ka vota.
“Në këto rrethana Glauk Konjufca me mandat të trashëguar në rrethana të tanishme politike duke kuptuar qartë dhe saktë vullnetit të qytetarëve, duhet të jetë i sinqertë më vetën më shumë dhe shumë më shumë se kryetari i tij dhe të konstatojë sa më parë aq më mirë se nuk ka shumicë”, theksoi ai.










