Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar fuqishëm ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, pas deklaratës së këtij të fundit se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konstituohet pa zgjedhur të gjithë nënkryetarët e komuniteteve shqiptare, serbe dhe joshqiptare.
Hasani kishte deklaruar se, sipas Kushtetutës, tre vendimeve të mëparshme dhe rregullores së Kuvendit, konstituimi i Kuvendit është i kushtëzuar nga zgjedhja e të gjithë nënkryetarëve, për shkak se secili ka vende të garantuara.
Në një reagim të gjatë, Kadri Kryeziu ka shpjeguar se Kushtetuta e Kosovës, në nenin 67, përcakton që Kuvendi zgjedh Kryetarin dhe pesë nënkryetarë, të cilët formojnë Kryesinë që menaxhon funksionimin administrativ të Kuvendit në përputhje me rregulloren e aprovuar nga vetë Kuvendi.
Sipas Kryeziut, Kushtetuta nuk e detyron zgjedhjen e menjëhershme të të gjithë anëtarëve të Kryesisë dhe as nuk e ndalon funksionimin e Kuvendit nëse ndonjë nënkryetar nuk zgjidhet menjëherë.
“Enver Hasani është një mendje djallëzore që e urren popullin e vet dhe është në mision jetësor për të shkatërruar këtë Republikë duke shpikur ndërskamca dhe bllokada. Kur thotë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa nënkryetarin serb, ai tregon qartë rolin e tij si sabotor i shtetit”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka shtuar se minoritetet kanë të drejta të garantuara në Kuvend, përfshirë 20 vende të rezervuara, por kjo nuk do të thotë se Kuvendi nuk mund të funksionojë nëse ata vendosin të bojkotojnë proceset politike. “Kuvendi ekziston, funksionon, nxjerr ligje dhe udhëheq jetën e këtij shteti, pavarësisht pjesëmarrjes së minoriteteve në proceset politike,” theksoi Kryeziu.
Reagimi i tij gjithashtu nënvizon se Republika e Kosovës është pronë e qytetarëve shqiptarë dhe se Kuvendi i zgjedhur ligjërisht nga populli vazhdon të ketë fuqinë për të funksionuar. Ai kritikoi Hasanin për tentativën për të mohuar fuqinë e deputetëve shqiptarë dhe për të vendosur një veto të paarsyeshme mbi funksionalizimin e institucioneve: “Kush është ky individ që mendon se mund të shpërfillë 100 deputetët shqiptarë të zgjedhur direkt nga populli? Ky është sabotim i funksionalizimit të shtetit dhe tradhti ndaj qytetarëve.”
Kadri Kryeziu u ka bërë thirrje gjykatësve të Kushtetueses të jenë vigjilentë dhe të mos ndihen të intimiduar nga deklarata të tilla, duke theksuar se historia do t’i gjykojë ata për mënyrën se si veprojnë dhe vendosin në raste të tilla.
Reagimi i ish-gjyqtarit nënvizon rëndësinë e funksionimit të institucioneve dhe ruajtjes së stabilitetit institucional, duke treguar qartë se çdo tentativë për të penguar procesin kushtetues është e papranueshme dhe mund të konsiderohet tradhti ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës./Telegrafi/