Serbia më 17 dhjetor do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare. Misioni i OSBE’së në Kosovë ka thënë se Beogradi ka kërkuar nga ta që t’i grumbullojnë votat e votuesve serbë që jetojnë në Kosovë. Ky mision ka thënë se e kanë informuar Qeverinë e Kosovës, mirëpo nga këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje. Në të kaluarën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë janë mbajtur edhe në Kosovë, mirëpo referendumi për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë nuk u lejua.
Më 17 dhjetor në Serbi do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Sikur edhe herëve tjera, edhe kësaj here Serbia ka kërkuar që ky proces të organizohet në Kosovë.
Misioni i OSBE’së në Kosovë, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se më 3 nëntor kanë pranuar një kërkesë nga Qeveria e Serbisë që ta kryejë mbledhjen e votave të votuesve që jetojnë në Kosovë.
OSBE ka thënë se e kanë informuar Qeverinë e Kosovës dhe “palët tjera” dhe se janë të gatshëm ta kryejnë mbledhjen e këtyre votave “në të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme”.Sipas OSBE’së, këto kushte janë pëlqimi nga të dyja palët dhe ofrimi i mbështetjes për sigurinë, përfshirë edhe nga Policia e Kosovës.
“Më 3 nëntor, Misioni i OSBE-së në Kosovë pranoi një kërkesë nga Qeveria e Serbisë për të kryer një operacion për mbledhjen e votave të votuesve rezidentë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit. Si në rastet e mëparshme, mbështetja e institucioneve të Kosovës është thelbësore që OSBE-ja të ndërmarrë një operacion të tillë, siç ishte rënë dakord fillimisht në vitin 2012 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me mbështetjen e BE-së dhe QUINT-it. Misioni ka informuar Qeverinë e Kosovës dhe palët tjera të interesuara për kërkesën dhe është i gatshëm në parim që të kryejë një operacion për mbledhjen e votave në të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme të tilla. Këto kushte përfshijnë pëlqimin nga të dyja palët dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme të sigurisë për operacionin, përfshirë edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e OSBE’së për Gazetën Express.
Gazeta ka dërguar pyetje edhe në adresë të Zyrës së Kryeministrit, mirëpo deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Kryeministri Kurti më 6 nëntor është takuar me shefin e misionit të OSBE’së në Kosovë, Michael Davenport, mirëpo në njoftimin e Qeverisë nuk është bërë e ditur nëse është folur për kërkesën e Beogradit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin biseduan për temat aktuale dhe bashkëpunimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së, në Kosovë. U bisedua për zhvillimet që ndodhën nga takimi i fundit së bashku, në veçanti për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë të sponsorizuar, organizuar dhe me përfshirje direkte të shtetit të Serbisë. Në takim u fol për angazhimin e qeverisë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë me ç‘rast Kryeministri falënderoi Ambasadorin Davenport për bashkëpunimin e OSBE-së me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Qeverisë për takimin Kurti- Davenport.
Më 16 janar 2022, Serbia kishte mbajtur një referendum për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në fushën e drejtësisë. Serbia kishte kërkuar që ky referendum të organizohet edhe në Kosovë, mirëpo pavarësisht thirrjeve të QUINT’një gjë e tillë u refuzua nga Qeveria e Kosovës.
Serbëve u ishte mundësuar të votojnë vetëm nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës një ditë para se të mbahej referendumi kishin miratuar një rezolutë, përmes së cilës kundërshtonin mbajtjen e referendumit.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.
Qytetarët serbë në Kosovë kishin protestuar për moslejimin e mbajtjes së referendumit, ndërsa Bashkimi Evropian kishte shprehur keqardhje që nuk është gjetur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.
“BE-ja shpreh keqardhje për pamundësinë e gjetjes së një marrëveshjeje me Qeverinë e Kosovës për të lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të mbledhë fletëvotimet në Kosovë, në përputhje me praktikën nga e kaluara”, kishin deklaruar nga BE-ja.