A do të ketë qeveri Konjufca 1? Flet Bajqinovci: Është mirë të formohet dhe të mos shkohet në zgjedhje deri për çështjen e presidentit

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se pret që të formohet qeveria Konjufca, pasi rrezikohet buxheti i shtetit dhe zgjedhjet të shtyhen deri për çështjen e presidentit.

“Është në diskrecionin e mandatarit të vendit, në këtë rast të mandatarit të kryeministrit zotit Konjuca. Ju e keni parë edhe deklaratën e tij, që i ka bërë hapur publikisht thirrje partive politike që të votohet  qeveria Konjuca, për shkak se rrezikohet buxheti i shtetit. Ju po e shihni që para disa orëve i patë protestat e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, pastaj komuna e Prishtinës, pastaj komuna e Gjilanit, pastaj e Zubin Potokut dhe mund të kemi një kolaps nëse nuk krijohet qeveria deri në shkurt. Andaj kjo do të ishte një lloj mund të themi që të buxheti të miratohet. E pastaj ju e dini që e kemi edhe procedurën e presidentit, e cila besoj që mund të ketë pastaj mund të kemi edhe zgjedhje nëse do të shkojmë te kjo qeveri deri në, nëse do të votojë qeveria Konjuca”, ka thënë ai për Gazeta Blic.

Ai thekson se s’ka informacione nëse është biseduar me ndonjë deputet por thotë se mund të jetë një qeveri e shkurtër, për shkak të çështjes së buxhetit.

Bajqinovci e quan arrogancë kërkesën e partive tjera për të shkuar në zgjedhje.

“Unë nuk kam informacion, sepse e thashë edhe njëherë është në diskrecionin e zotit Konjuca, por e di një gjë që është mirë pasi se mund të jetë qeveri shumë e shkurtër dhe mos të kemi telashe me buxhet e ta rrezikojmë 85.000 shërbyes publik në shtet që të votohet ëh, qeveria Konjuca dhe të vazhdohet deri në procesin e e presidentit se aty ëh, ju e dini se është problematik edhe vendi mos të shkojë në zgjedhje. Por, nëse do të kemi zgjedhje pas zgjedhjeve, kjo, unë mendoj që kjo është arroganca e opozitës dhe ne kemi thënë, e ka thënë edhe kryeministri Kurti që ëh, nuk është ide e mirë që të shkohet në zgjedhje, por të votohet qeveria Konjuca dhe të ëh, përfundojnë shumë procese të rëndësishme për vendin siç është buxheti”, ka potencuar deputeti për Gazeta Blic.

Ai thotë se janë të gatshëm për zgjedhje, nëse nuk votohet qeveria e re.

“Po, absolutisht, ne jemi të gatshëm, por ne nuk dëshirojmë të shfaqim arrogancë sikurse opozita e cila del çdo ditë e kërkon zgjedhje. Ne kemi thënë që të përfundojnë shumë procese, sidomos ai buxheti, ligji për buxhet dhe mos të kemi probleme sikur shumë ndërmarrje që të mbesin pa paga, por po e shohim një opozitë e cila është ashtu qysh e ka penguar kuvendin, e kanë penguar kryetarin, nënkryetarët, pastaj edhe çështjen e kryeministrit, për zgjedhjen e kryeministrit Kurti, po e pengon tash me deklarata deri më sot çka kemi parë edhe zgjedhjen e qeverisë Konjuca aty”, ka deklaruar Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi