Jo më pak se 7 mijë e 500 euro është paga me të cilën Gani Jakupi paguhet nga Qeveria e Kosovës për pozitën këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dikaster ky i cili udhëhiqet nga Donika Gërvalla.
Dje u raportua se Jakupi jeton në Spanjë, por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike.
Raportimi ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale nga liderë politikë, opozitarë dhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratikë të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, duke bërë përllogaritje me pagën e Jakupit, ka thënë se i njëjti në vit merr 90 mijë euro nga taksapaguesit e Kosovës.
Ndërkaq kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka shpërndarë një intervistë të Jakupit më 2020 ku dëgjohet duke lavdëruar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
“28 tetor 2020 – Gazetari Agron Bajrami interviston artistin Gani Jakupi. I thurë lavde Kurtit dhe akzuon partitë e tjera për punësime familjare. 21 nëntor 2023 – Ambasadori Agron Bajrami e angazhon për konsulent artistin Gani Jakupi me 7500€ pagë mujore. Ambasador me të njofshëm, konsulent me të njofshëm”, ka shkruar Molliqaj në Facebook
E drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, duke ironizuar e ka quajtur Jakupin “superman këshilltar” që paguhet sa 44 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Gani Jakupi, superman këshilltari paguhet 7500 euro në muaj, ndërsa veterani i UÇK-së paguhet 170 euro në muaj. Pra, superman këshilltari paguhet sa 44 veteranë të UÇK-së. Nuk jemi të varfër jemi të vjedhur!”, ka shkruar Demhasaj në Facebook.
Për rastin ka reaguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, duke thënë se “me hajna nuk bohet shteti”.
“90 mijë euro një banese në Prishtinë, gati 1000 pensione të pleqërisë, një qytetar i këtij vendi ish shëru nga sëmundje e rendë e s’kish pas nevojë me kërku lëmoshë në rrjete sociale. Shoqëria kushton shtrenjtë, ama kur e paguan me lekë të shtetit, hajgare janë 90 mijë euro”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.











