Për më pak se pesë vjet, 712 gra abortuan vetëm në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ka bërë të ditur Drejtori i Klinikës, Zef Ndrejaj.
Gjatë periudhës 2020–2024, në Klinikën e Obstetrikës-Gjinekologjisë janë kryer gjithsej 572 aborte artificiale të lejuara me ligj dhe të realizuara deri në 10 javë të shtatzënisë.
Ndërkohë, gjatë muajve janar–tetor 2025, janë regjistruar edhe 140 raste të tjera, duke e çuar totalin e përgjithshëm në 712 aborte.
Rastet e vajzave nën 18 vjeç janë të rralla, vetëm 4 në më pak se pesë vite.
Një në vitin 2020, dy në vitin 2021 dhe një tjetër në vitin 2024. Në vitet 2022, 2023 dhe deri në tetor të 2025-ës, nuk është regjistruar asnjë rast i tillë.
Numri më i madh i aborteve vjen nga qytetet e mëdha.
Në krye të listës qëndron Prishtina me 136 raste, e ndjekur nga Prizreni me 50, Fushë Kosova me 48, Ferizaj me 38, ndërsa Lipjani dhe Podujeva kanë nga 36 raste secila.
Komunat e tjera shënojnë numra më të ulët, Gjilani me 33, Vushtrria me 28, Gjakova me 26, Malisheva me 25, Peja me 24, dhe Mitrovica me 16 raste./Kiks Kosova
















