Watford ka konfirmuar zyrtarisht rikthimin e ish-mesfushorit Valon Behrami në klub, këtë herë në një rol drejtues. 40-vjeçari është emëruar asistent i drejtorit sportiv Gian Luca Nani, me të cilin kishte bashkëpunuar edhe më herët në karrierë.
Behrami, i cili kishte një periudhë të paharrueshme si lojtar i Watford gjatë sezoneve 2015/16 dhe 2016/17 në Ligën Premier, do të ketë një rol kyç në ndërtimin e lidhjes mes stafit teknik, lojtarëve dhe klubit, si dhe forcimin e marrëdhënieve me tifozët.
“Jam i kënaqur që po punoj sërish me Valonin”, u shpreh Nani. “Ai do të ofrojë ndihmë të paçmueshme për stafin teknik dhe për lojtarët. E di që ai ka një lidhje të veçantë me Watfordin që nga koha kur ishte lojtar këtu dhe ai tashmë ka filluar të ndikojë pozitivisht”.
Behrami vjen me një përvojë të madhe si futbollist, pas një karriere 20-vjeçare ku luajti për klube të njohura si Lazio, West Ham, Napoli, Hamburg dhe Udinese. Me 83 paraqitje për Zvicrën, ai mbetet lojtari i parë zviceran që ka marrë pjesë në katër Kupa të Botës radhazi (2006–2018).
Në deklaratën e tij të parë pas rikthimit, Behrami tha: “Kur isha lojtar i Watford, ishte hera e parë që ndjeva se isha pjesë e një familjeje dhe më ka munguar kjo. Jam shumë i lumtur që jam kthyer. Scott Duxbury më besoi si lojtar dhe më ftoi edhe tani – nuk pata asnjë hezitim”.

Ai shtoi se qëllimi i tij është të ndërtojë ura komunikimi dhe besimi brenda klubit: “Dua të ndihmoj në forcimin e lidhjes mes stafit, lojtarëve dhe tifozëve. Kjo është mënyra e vetme për të arritur objektivat. Kërkohet punë e palodhur, disiplinë dhe mbështetje nga të gjithë.”
Behrami gjithashtu vlerësoi trajnerin aktual të skuadrës, Paulo Pezzolano, duke thënë: “Paulo ka qenë i shkëlqyer që nga dita e parë. Ka disiplinë, pasion dhe standarde të larta – pikërisht ajo që i duhet këtij klubi për të ecur përpara”.