Zviceranët po ndërtojnë një stadium të paparë më herët, me vlerë 480 milionë euro – do të ketë edhe “tren të vdekjes”

Zviceranët po ndërtojnë një stadium të paparë më herët, me vlerë 480 milionë euro – do të ketë edhe “tren të vdekjes”

Klubi zviceran i futbollit Sion ka prezantuar një projekt ambicioz për ndërtimin e një stadiumi të ri, i cili mund të bëhet objekti sportiv më i shtrenjtë i këtij lloji në historinë e Zvicrës.

Ajo që e bën projektin të veçantë nuk është vetëm kostoja e lartë, por edhe atraksioni që do ta rrethojë arenën – një roller coaster, i njohur edhe si “tren i vdekjes”.

Stadiumi i ri do të quhet Cervin Coliseum, ndërsa vlera e tij llogaritet në rreth 450 milionë franga zvicerane, ose më shumë se 480 milionë euro. Sipas planeve, projekti do të financohet tërësisht me kapital privat, si pjesë e një investimi të madh në pasuri të paluajtshme.

Vëmendjen më të madhe e ka tërhequr ideja që rreth stadiumit të ndërtohet një roller coaster, i cili do t’u ofrojë vizitorëve një përvojë krejtësisht ndryshe nga ajo e stadiumeve tradicionale.

Për ndërtimin e kësaj atraksioni do të nevojiten edhe rreth 20 milionë franga zvicerane shtesë.

Presidenti i Sionit, Christian Constantin, beson se ky investim mund t’i sjellë përfitime të mëdha klubit dhe gjithë rajonit.

“Pres rreth 250 mijë vizitorë në vit vetëm për shkak të roller coaster-it. Dhe kur të jenë aty, do ta shohin edhe stadiumin”, deklaroi Constantin për gazetën zvicerane Blick.

Qëllimi është që kompleksi të kthehet në një atraksion turistik gjatë gjithë vitit, jo vetëm gjatë sezonit të sporteve dimërore. Kantoni Valais, ku ndodhet Sioni, njihet pikërisht për turizmin malor dhe dimëror.

Sipas planeve, Cervin Coliseum do të ketë kapacitet prej 21 mijë ulësesh për ndeshjet e futbollit, duke u bërë stadiumi i pestë më i madh në Zvicër.

Për koncerte dhe ngjarje të tjera të mëdha, kapaciteti mund të rritet deri në 33 mijë vizitorë.

Fillimi i ndërtimit është planifikuar për vitin 2028, ndërsa punimet pritet të zgjasin katër vjet. Nëse gjithçka ecën sipas planit, Sion mund të luajë në stadiumin e ri në sezonin 2032/2033.

Aktualisht, klubi i zhvillon ndeshjet në Stade de Tourbillon, i hapur në vitin 1968 dhe me kapacitet pak më shumë se 14 mijë vende.

Nëse projekti realizohet, Sion do të fitojë jo vetëm një shtëpi të re sportive, por edhe një stadium unik në skenën botërore të futbollit – ku tifozët do të mund të përjetojnë jo vetëm ndeshjen, por edhe një aventurë të vërtetë adrenaline.

Kategoritë
Sport