Zëvendëspresidenti amerikan James David Vance ka vendosur të mos vizitojë Izraelin, në kundërshtim me pritjet në Tel Aviv
Pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump nuk e vizitoi Izraelin gjatë turneut të tij në Lindjen e Mesme, zëvendëspresidenti James David (JD) Vance thuhet se “anuloi vizitën e tij në Izrael në mënyrë që të mos duket sikur mbështeste” qeverinë e Tel Avivit, transmeton Anadolu.
Vance, i cili shkoi në Vatikan për të marrë pjesë në inaugurimin e Papa Leo XIV, fillimisht planifikonte të udhëtonte për në Izrael të martën, raportoi Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Thuhet se zv/presidenti Vance anuloi vizitën e tij në Izrael pasi Izraeli filloi ofensivën në Gaza të dielën, me qëllim dëbimin e palestinezëve dhe bërjen e pushtimit të përhershëm.
Vance vendosi të mos shkonte në Izrael pasi “qeveria e Tel Avivit dhe vendet rajonale vlerësuan se vizita mund të mbështeste sulme të reja izraelite në Gaza”.
Ushtria izraelite ka lëshuar nga ajri fletushka duke i kërcënuar palestinezët me sulme dhe duke i urdhëruar ata të lëvizin në jug, veçanërisht në veri të Gazës dhe zona të tjera.
Kombet e Bashkuara, grupet e të drejtave të njeriut dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës kanë paralajmëruar se ofensiva e re tokësore e ushtrisë izraelite do të përkeqësonte situatën humanitare tashmë katastrofike.
Ushtria izraelite tha se kishte filluar ofensivën tokësore, të quajtur “Karrocat luftarake të Gideonit”, për të pushtuar përgjithmonë Gazën. Qeveria izraelite tha se me këtë sulm do të pushtonte të gjithë Gazën.
Si pjesë e planit, në mediat lokale u tha se Izraeli do të krijonte “kampe përqendrimi” në jug të Rripit të Gazës, ku do të shpërndante ndihmë të kufizuar humanitare pas dëbimit të palestinezëve. Nëpërmjet imazheve satelitore u zbulua se ushtria izraelite ishte përgatitur për këtë duke rrafshuar zona të mëdha në qytetin jugor Rafah.
Nën presionin e SHBA-së dhe vendeve evropiane, kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi të dielën në mbrëmje “lejimin e hyrjes së ushqimit bazë të mjaftueshëm për të parandaluar urinë” në Gaza.