“Të çuditshme” i ka quajtur zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Taulant Kelmendi, deklaratat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e cila ka paralajmëruar për mundësinë e mosfillimit të procesit mësimor në shtator për shkak të mosformimit të institucioneve.
Kelmendi për Kallxo.com tha se këto deklarata të SBASHK-ut janë të përvitshme para se të fillojë viti i ri shkollor.
“Deklarata të përvitshme, diskurs publik që tentojnë me iniciu çdo herë para fillimit të vitit të ri shkollor. Është shumë e rëndësishme që SBASHK-u me e kry detyrën e vet, me ushtru profesionin e vet për ngritje të cilësisë në arsim. Kjo është detyra e SBASHK-ut. Për veprime politike ata nuk janë organizatë politike. Pak i çuditshëm reagimi i tyre por tashmë zor çuditemi me deklaratat e tyre” – ka thënë Kelmendi.
Ai ka folur edhe për kontratat kolektive, dhe tha se ka takuar SBASHK-un dhe kanë diskutuar me ta.
“Draftimi i kontratës kolektive është plotësisht i njëanshëm. Ata i dinë arsyet dhe detajet, tash kanë kaluar në nivel tjetër, po lëshojnë deklarata politike, pak e çuditshme, por sidoqoftë rrugët ligjore për draftimin e kontratës kolektive duhet të ndiqen hap pas hapi dhe ata e dinë konkretisht” – ka thënë Kelmendi.
Më 02.07.2025, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka njoftuar se ka nisur përgatitjet për mbajtjen e kongresit të jashtëzakonshëm, në të cilin pritet të vendosë për kohën e fillimit të vitit të ri shkollor.
Sipas njoftimit të SBASHK-ut, në kongresin e jashtëzakonshëm do të diskutohet në rast se nuk fillon viti i ri shkollor në muajin shtator, a do të nisin me veprim sindikale pa e përjashtuar grevën e përgjithshme.