Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, në një konferencë për media pas mbledhjes së bordit njoftoi se janë miratuar vendime për autorizime shtesë prej rreth 107 megavatësh për ndërtimin e kapaciteteve solare, raporton Ekonomia Online.
Fejzullahu theksoi se ZRrE është duke lehtësuar kushtet për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, por kërkoi mirëkuptim nga bizneset, duke theksuar se “ky është detyrim ligjor” dhe se vendimet janë në përputhje me ligjin.
“Në këtë mbledhje ishte një numër i madh i pikave, kryesisht dominonin vendimet për vlerësimin e autorizimeve të kapaciteteve shtesë të paneleve solare ku kishim rreth 107 megavat autorizime shtesë për ndërtim nga energjia diellore. Një pjesë e energjisë e cila konsumohet në Kosovë të jetë nga prodhimet e ripërtëritshme që do të ndikojë në ambientin e Kosovës. Në vazhdën e lehtësimit të kushteve janë këto vendime për kapacitete shtesë gjeneruese. Ky është çmimi i tregut, ne mundemi të jemi maksimalisht pranë bizneseve, mirëpo duhet të kenë parasysh që bizneset të kenë mirëkuptim me vendimet e ZRrE-së, sepse ky është detyrim ligjor, sepse ZRrE ka vendime të përcaktuara me ligj”, ka thënë Fejzullahu.
Ai bëri të ditur se aktualisht janë më shumë se pesë furnizues që kanë lidhur kontrata me biznese në tregun e hapur, ndërsa qëllimi është të rritet konkurrenca dhe të ofrohen çmime më të mira.
Numri i furnizuesve që kanë lidhur kontrata me bizneset që janë detyruar sipas ligjit të dalin në treg është më tepër se pesë furnizues. Ishin tri kërkesa për vendim të dhënies së licencës, qëllimi i vetëm është që të ofrohet mundësi shtesë që të lidhin kontrata që të ardhmen të ofrohen çmime më të mira dhe të rritet numri i furnizuesve. Rreth 40 përqind janë të furnizuar nga KEK, edhe më keq furnizohet me Telekom, ndërsa në sektorin e energjisë janë mbi pesë furnizues. Komunat veriore kanë të drejtë të furnizohen, ata që kanë plotësuar kushtet, mund të them se mbi 90 përqind e konsumatorëve në veri të Kosovës furnizohen me tarifat e tregut”, deklaroi ai.
Sipas tij, mbi 90% e konsumatorëve në veri të Kosovës tashmë furnizohen me tarifat e tregut. Ai ritheksoi se ZRrE do të respektojë çdo vendim të gjykatës, por bizneset duhet të respektojnë detyrimet ligjore.
“ZRrE gjithmonë e përsërisim se do të respektojë çdo vendim të gjykatës dhe ka respektuar të gjitha, lusim edhe të gjithë bizneset, jo se pse ne dëshirojmë të respektojnë këto vendime, por janë detyrime ligjore. Vendimi ka qenë një vit më parë kur kemi vendosur me tarifa, dhe bizneset janë informuar me takimet që kemi pasur, dhe vendimi i fundit ka qenë në fuqi deri më 31 mars 2025. Bordi i ZRrE-së është dhënë një kohë shtesë në mënyrë që bizneset të kenë mundësi që të përgatiten. Bordi i ZRrE-së i ka njoftuar që ky vendim do të shtyhet deri në periudhën në qershor, në mënyrë që pasojat për biznese të jenë sa më të vogla. ZRrE nuk është që po ka dëshirë, po është e detyruar sipas ligjit dhe sipas obligimeve që ka marrë nga institucionet e BE-së, janë direktiva të qarta”, shtoi ai.