Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dje ka paraqitur kërkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Isni Kilajt i cili është arrestuar me 2 nëntor, mirëpo vendimi për këtë kërkesë do të merret të hënën me 6 nëntor 2023.
Kjo është bërë e ditur nga gjyqtari i vetëm në këtë çështje, Nicolas Guillou i cili i urdhëroi mbrojtjen e Isni Kilajt dhe ZPS-në për t’i dorëzuar parashtrimet e veta.
“Pasi dëgjova palët dhe duke marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit që u paraqit dje në 3 nëntor përreth orës 10:00 e quaj të përshtatshme të miratoj kërkesën e mbrojtjes për bërë parashtrime me shkrim lidhur me këtë kërkesë përpara se të jep vendimin tim, prandaj e urdhëroj mbrojtjen e z.Kilaj të parashtroj parashtrimet e veta me shkrim, sot 4 nëntor deri në orën 8 dhe ZPS t’i kundërpërgjigjet nesër deri në orën 2. Të hënën në orën 10:00, 6 nëntor do të nxjerrë vendimin tim”, tha gjyqtari Guillou.
Tutje, gjyqtari Guillou urdhëroi që Isni Kilaj të vazhdoj qëndrimin në paraburgim deri në vendimin e DhSK-së.
Mbrojtja ka thënë se s’ka prova se ai është fajtor derisa Prokuroria ka thënë se ka gjetur prova të dëshmitarëve në banesën e Kilajt.
Gjykata njoftoi të premten se ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është transferuar në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë pasi është arrestuar nën dyshimin për veprë penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhej në njoftim për media.