Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, gjatë pjesëmarrjes në samitin vjetor SOMOS në Porto Riko, dha një mesazh frymëzues nga hutbja e xhumasë, duke iu referuar mësimeve të Profetit Muhamed (a.s.).
Pas faljes së namazit të xhumasë në një xhami lokale, Mamdani u prit me interes të madh nga komuniteti musliman. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e udhëheqjes me dhembshuri dhe mençuri, duke cituar fjalët e Profetit:
“Ashtu siç na mësoi Hazreti Muhamedi (a.s.): Lehtësoni, mos e vështirësoni. Kjo këshillë duhet të jetë udhërrëfyes si për komunitetet tona ashtu edhe për udhëheqësit tanë.”
Fjalimi i tij erdhi në një moment kur figura e Mamdanit po tërheq vëmendje të gjerë në politikën amerikane. Ai është në prag të bërjes së kryetarit të parë mysliman të Nju Jorkut, pasi fitoi zgjedhjet me 50.4% të votave, duke lënë pas ish-guvernatorin Andrew Cuomo me 41.6%, ndërsa kandidati republikan Curtis Sliwa mori vetëm 7.2%.
Samiti SOMOS, që mbahet çdo vit në Porto Riko, mbledh politikanë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga shteti i Nju Jorkut.
Këtë vit, temat kryesore ishin të drejtat e emigrantëve, drejtësia sociale dhe barazia shoqërore — fusha ku Mamdani, si politikan progresist me origjinë afrikano-aziatike dhe besim mysliman, po shndërrohet në një zë të ri ndikues në skenën politike amerikane.












