Zjarri më i fundit shpërtheu vonë të premten mes rretheve Kundu dhe Belek në Antalia, duke u shtuar një sërë zjarresh që kohët e fundit kanë goditur destinacionet më të njohura turistike Alanya dhe Muratpaşa.
Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar, ndërsa ekipet e zjarrfikësve në Antalia janë angazhuar maksimalisht me mbështetjen e njësive rajonale të pylltarisë dhe forcave të sigurisë.
Banorët e zonave të afërta janë dërguar për arsye sigurie në zona të mbrojtura, ndërsa zyrtarët thanë se intensiteti i flakëve e shndërroi natën në ditë. Raportet më të fundit tregojnë se rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme ka shpërthyer një tjetër zjarr në zonën pyjore Komköy në rrethin Aksu. Janë dërguar në terren cisterna me ujë dhe ekipe zjarrfikësish me detyrën e lokalizimit të flakëve.
Zjarri ka rrezikuar ferma të mëdha dhe sera me luleshtrydhe, ndërkohë që një pjesë e turistëve të huaj kanë lënë para kohe resortet më të afërta me vatrat e zjarrit.
Autoritetet lokale njoftuan që të premten evakuimin e 150 familjeve në zonën e Alanyas për të parandaluar viktimat derisa zjarri të vihet nën kontroll.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Pylltarisë, në shuarjen e zjarreve po marrin pjesë gjithsej 14 avionë, 20 helikopterë dhe mbi 800 persona në terren.