Zgjerohet “Superpuna”, subvencionimi do të bëhet edhe për të punësuarit deri në 29 vjeç

Qeveria e Kosovës ka zgjeruar platformën “Superpuna” dhe bizneset e sektorit privat që përfitojnë nga kjo platformë tani e tutje mund të punësojnë edhe personat nga grupmoshat deri në 29 vjeç, raporton Ekonomia Online.

Deri më tani nëpërmjet kësaj platforme kanë mundur të punësohen vetëm personat deri në 25 vjet.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në lansimin e zgjerimit të kësaj platforme, deklaroi tani për bizneset është më e lehtë angazhimi i punëtorëve pasi garantohet subvencionimi i pagës.

Kurti tha se “punë dhe drejtësi është togfjalëshi që është dëgjuar më së shumti në paraqitjet tona publike”.

“Punë dhe drejtësia është togfjalëshi që është dëgjuar më së shpeshti në prezantimet tona. Kjo platformë për bizneset e bëri më të lehtë angazhimin e punëtorëve pasi garantoi subvencionim e pagës së punëtoreve. Platforma ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, ku u punësuan 9394 të rinj dhe të reja. Jam shumë i lumtur që disa prej përfituesve i kemi në mesin tonë për t’u dhënë edhe një lajm të mirë. Kemi vendosur që t’i zgjerojmë gruposhmat që mund të përfitojnë nga kjo platformë, tani nga 18 vjeç deri në 29 vjeç mund të përfitojnë për t’u punësuar”, tha ai.

E ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se synimi ka qenë që të punësohen 10 mijë të rinj e të reja.

Ai tha se 67 për qind e të rinjve që janë punësuar përmes kësaj platforme, u janë vazhduar kontratat nga punëdhënësi.

“Duke parë suksesin e grupmoshës së parë, kemi vendosur të zgjerohet grupmosha për ata që janë më shumë se 25 vjeç. Pra nga ata që kanë përmbushur gjashtë mujorin, janë 67 për qind e tyre që kanë përfituar punësim. Ndryshimet, do të vazhdojnë kushte dhe kriteret e tjera siç kanë qenë”, tha ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi