Federatat e futbollit të Amerikës së Jugut kërkojnë që Kupa e Botës 2030 të ketë 64 përfaqësuese, dhe shenjën e parë për këtë ndryshim revolucionar e dha presidenti i CONMEBOL-it dhe njëherësh nënkryetar aktual i FIFA-s, Alejandro Dominguez.
“Erdhëm këtu për të punuar dhe patëm një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Rrini afër sepse së shpejti do të japim lajme që do të ndikojnë në gjithë botën. Ju dua shumë”, tha Dominguez nga New York-u, transmeton Ole.
Është e qartë se Dominguez e di që vendimi është afër, ndërsa fjalët e tij erdhën në prag të një konference të madhe që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim, përveç Dominguezit dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, morën pjesë edhe presidenti i Paraguajit, Santiago Pena, dhe ai i Uruguajit, Yamandu Orsi. Qëllimi i CONMEBOL-it është që Kupa e Botës 2030 të zhvillohet me 64 ekipe pjesëmarrëse, ndaj Infantino ditët e fundit ka kërkuar mbështetjen e Afrikës, është takuar edhe me presidentin e Konfederatës Aziatike të Futbollit, ndërsa tani mbetet Evropa.
Javën e ardhshme është parashikuar mbledhja e Këshillit të FIFA-s, ku zyrtarisht mund të konfirmohet vendimi për 64 pjesëmarrës.
Këshilli i FIFA-s përbëhet nga 37 anëtarë – presidenti i zgjedhur në Kongres, tetë nënkryetarë dhe 28 anëtarë që zgjidhen nga federatat kombëtare.