Zërat që nuk u dëgjuan asnjëherë – Rrëfime të romëve gjatë luftës në Kosovë

Shkruan:Shyret Hoxhaj

Në kohën kur sirenat e luftës fishkëllenin mbi qytete dhe fshatra, kishte njerëz që nuk kishin as ku të fshiheshin, as kë të thërrisnin. Në mes të zjarrit dhe urrejtjes, romët e Kosovës mbetën të pambrojtur, të dyshuar nga të gjitha anët, shpesh të heshtur me dhunë, të përbuzur edhe në vuajtje. Askush nuk i pyeti se çfarë po përjetonin. Askush nuk i kërkoi dëshmi. Kurse për shumë prej tyre, historia u mbyll me një kapitull bosh, ashtu si dhoma bosh që lanë pas, shtëpi të djegura, kujtime të braktisura në ikje.

Andaj, në këtë artikull, dëgjohen dy zëra të atyre që mbijetuan heshtjen. Njëri një aktivist Rom i cili u përpoq të mbante të gjallë komunitetin pas kaosit. Tjetri një familjar i një viktime me aftësi të kufizuara, që kurrë nuk u trajtua si qenie njerëzore nga ata që e panë si të padukshëm.

“Lufta është një gjë e tmerrshme… Nuk di kujt i konvenon lufta… Lufta i konvenon të gjithë atyre njerëzve të cilët e gjejnë vetën në luftë… Kush janë ata njerëz? Ka shumë njerëz që janë të pandershëm, të cilët luftën e kanë shfrytëzuar për të përfituar nga ajo gjendje. Kurse për njerëzit e ndershëm, lufta ka qenë me të vërtetë tmerr…” – Fillon rrëfimin nën emocione aktivisti Rom.

Ai më tutje kujton vitet e para të aktivizmit të tij si një aktivist i komunitetit i cili është vënë në ndihmë komunitetit për çështje humane:

“Ka pasur rom të cilët janë zhvendosur nga fshatrat Landovicë, Bella Cerkë, Samadrazhë, Suharekë, etj. Atyre u kemi ndihmuar të zhvendosen në Prizren dhe t’i’u sigurojmë vendbanime për jetesë. Në ato shtëpi të komunitetit rom, banorë të cilët veçse kanë emigruar në Perëndim, e kjo ka ndikuar në sigurinë e të dy palëve, njërës palë i’u mbrohej shtëpia nga uzurpimi, tjetrës palë i’u sigurohej jetesa…” – vazhdon ai.

Ndër të tjera, ai tregon për raportet e komunitetit rom me komunitetin shqiptar:

“Ne si komunitet rom, në krahasim me komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë, kemi pasur ngjashmëri me komunitetin shqiptar qysh moti. Komuniteti rom ka qëndruar së bashku me komunitetin shqiptar me shekuj, andaj dhe i ka marrë atributet e komunitetit shqiptar, duke filluar nga gjuha, doket, zakonet, traditat, p.sh. kemi marrur nuse me flamurin shqiptar. Jemi regjistruar si shqiptarë, pasi që atëherë nuk ekzistonte rubrika që të regjistroheshim si rom. Kemi pasur raporte shumë të mira në kohërat e vjetra…” – tregon nën mallëngjime.

Ai kujton edhe kohën se kur u ftohen raportet ndërmjet këtyre dy komuniteteve.

“Është e ditur që lufta ka qenë ndërmjet popullatës shumicë shqiptare të cilët kanë bërë një luftë për çlirim dhe mes shtetit serb si aparat shtetëror, e që këta të fundit në mënyrë sistematike kanë ushtruar presion dhe padrejtësi ndaj shqiptarëve. Duhet pasur parasysh që atëherë ka pasur dhe rom që kanë jetuar në Serbi dhe kanë qenë pjesë e ushtrisë Jugosllave, por ka pasur dhe rom që kanë qenë në UÇK që kanë luftuar së bashku me shqiptarët për liri. Duke pasur parasysh që ndonjëherë dhe romët identifikohen përmes fizionomisë, janë menduar që disa policë rom i’u kanë bashkangjitur policisë serbe dhe kanë qenë në anën e tyre kundër shqiptarëve, gjë që nuk është aspak e vërtetë.” – bënë të ditur aktivisti.

“Nëse ndokujt lufta në Kosovë nuk i ka konvenuar, atëherë më së shumti komunitetit rom nuk i ka konvenuar, duke pasur parasysh që ata kanë qenë mes dy zjarreve. Ne jemi një komunitet shumë paqedashës dhe historia e komunitetit rom tregon se pas çdo lufte, komuniteti rom ka pësuar. Ka pësuar në luftën në Bosnje, në luftën në Kosovë dhe në luftra tjera. Nëse pyesim se si kanë pësuar, në mungesën e ligjeve dhe gjykatave, shpeshherë personat e pa ndërgjegjshëm nga komuniteti serb dhe shqiptar kanë shfrytëzuar momentin dhe kanë arritur qëllimin që kanë pasur ndaj romëve…” – shprehet nën emocione ai.

Ai po ashtu bënë të ditur dhe raportet mes komuniteteve pas viteve të ‘99-ta në Kosovë:

“Shoqëria i ka shikuar me një sy më ndryshe romët, jo ashtu siç janë parë para luftës. Ka pasur paragjykime që romët kanë qenë bashkëpuntorë me Serbët, që aspak nuk ka qenë e vërtetë, e falë asaj që nuk ka qenë e vërtetë, ne jemi këtu. Në rast se vërtetë ka qenë dikush bashkëpunues i serbëve, ai nuk është këtu më me ne, pasi që ai person nuk na duhet as neve në mesin tonë. Andaj për këtë gjë, komuniteti rom duhet të mburet që në kohën e luftës nuk është identifikuar asnjë person i cili ka bërë krime lufte, qoftë djegie, vrasje, dhunime apo vepra tjera, vepra të cilat janë bërë nga paramilitarët serbë, si dhe faktikisht me formimin e Gjykatës Speciale në Hagë, asnjë pjesëtar nga komuniteti rom nuk ka pasur të dënuar për vepra të rënda penale.” – flet ai.

Aktivisti më tutje na tregon dhe rreth trajtimit të romëve pas luftës, se si ka qenë situata e romëve pas luftës:

“Në periudhën e pasluftës aq kanë qenë marëdhëniet dhe raportet e ftohura, ne si aktivista e dijmë, saqë secila nga familjet rome kanë hezituar që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë për çështje sigurie, prej personave të cilët kanë pasur paragjykime ndaj komunitetit. Por, falë atyre njerëzve të mirë, falë njerëzve intelektual që e kanë njohur komunitetin rom dhe që e kanë njohur të kaluarën e tyre, ne jemi liruar nga ai izolim që kemi pasur brenda shtëpive dhe kemi filluar të dalim që t’i dërgojmë fëmijët nëpër shkolla. Ne duhet ta ndërtojmë shtetin së bashku, jemi pjesë përbërëse e shtetit…” – shprehet aktivisti.

Ai po ashtu flet dhe rreth një paragjykimi që i është krijuar komunitetit rom në raport të luftës në Kosovë:

“Jemi quajtur “Spiun”, por sipas mendimit tim, “spiun” nuk mund të bëhet çdo kush, është e vërtetë që kanë mundur të manipulojnë me komunitetin tonë, duke pasur parasysh naivitetin dhe ndoshta joshjen, por kur flasim për spiunazh ajo i përketë një niveli më të lartë. Për mua, nuk mund të bëhet “spiun” një i pashkolluar, pasi që dhe spiuni duhet të ketë një nivel arsimimi.” – beson ai.

Për më shumë, ai flet dhe rreth raportimit të viktimave rome, si dhe statistikave të ndryshme sa i përketë çështjes së luftës në Kosovë:
“Komuniteti rom ka pasur pjestarë të UÇK-së, të cilët kanë luftuar së bashku me shqipëtarët për çlirim. Duke filluar nga policë, invalidë, heronjë, e që mjerisht pak për ta flitet. Shembull në fshatin e Krushës së Madhe, kemi 15 rom të cilët bashkë me shqipëtarët janë të zhdukur dhe nuk dihet për fatin e tyre. Kemi në Komunën e Prizrenit rreth 12-15 pjesëtarë që kanë qenë në UÇK dhe tani marrin pensionet e veteranëve të UÇK-së e që dhe për këta flitet pak. Pra, më shumë i kushtohet rëndësi ndonjë hajduti i cili ka vjedhur ndonjë televizor apo diçka në kohën e luftës, se sa ndonjë romi i cili ka luftuar së bashku me shqiptarët duke treguar atdhedashurinë ndaj çlirimit të Kosovës.” – shprehet nën emocione aktivisti.

Ndër të tjera, ai na njofton dhe rreth përfshirjes së romëve gjatë procesit të rindërtimit të Kosovës:
“Kur ka qenë koha e emergjencës, në pjesën e Dukagjinit në fshatrat ku kanë mbetë komuniteti rom dhe atyre iu është dhënë materiali ndërtimor përmes këshillave lokal të cilët dhe janë përkujdesur për komunitetet. Më pastaj kemi pasur dhe donatorë ndërkombëtarë që kanë punuar në bashkëpunim me komunitetet dhe me qeverinë lokale, ku kemi shumë shtëpi që janë ndërtuar, si dhe shtëpitë të cilat janë djegur, menjëherë në kohën e emergjencës çështja e atyre shtëpive është zgjedhur.” – njofton ai.

Por, se a ka pasur përfshirje kolektive të romëve në aspekt politik?
“Kur themi në kohën e pasluftës menjëherë, atëherë ka qenë qeveria e përkohshme, si në nivel qëndror dhe lokal. Atëherë nuk kemi pasur subjekte politike, kemi pasur persona të përzgjedhur nga komuniteti, siç ka qenë z. Zylfi Merxha, i cili ka qenë me të vërtetë një njeri me autoritet dhe në kohën e Kouchner-it, Hashim Thaqi si president dhe vetë Kouchneri kanë qenë në shtëpinë e z. Merxha në lagjen rome “Tërzimahalla”. Nga ai moment vizite ne romët me njëfarë mënyre e kemi konsideruar si moment pajtese mes shqiptarëve dhe romëve. Andaj që nga ai moment, komuniteti rom është ndjerë më i sigurt, ka filluar dhe vetë komuniteti të organizohet, pra duke krijuar OJQ, subjekte politike, etj…” – shton ai.

Për në fund, ai vlerëson dhe situatën e romëve që është tani në Kosovë krahas me shtetet fqinje:
“Sa i përketë këtij krahasimi mes dy shteteve, duke pasur parasysh që në Kosovë ka pasur luftë e në Serbi nuk ka pasur luftë fare, unë them se raporti i romëve qëndron shumë herë më mirë në Kosovë krahasuar atyre në Serbi. Duke u nisur nga vetë fakti që në Parlamentin e Kosovës sigurohet zëri i romëve në radhët e ulëseve të komuniteteve pakicë, e që në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri, nuk qëndron diçka e tillë, por sigurohet përmesë mekanizmave tjera.” – përfundon intervistën ai.

Me një rrëfim tjetër vie dhe familjari i viktimës i cili ka përjetuar dhunë gjatë kohës së luftës në Kosovë, i cili për më shumë është dhe me aftësi të kufizuara, andaj familjari i tij merr përsipër të flas në emër të viktimës: “Lufta tek jeta jonë si komunitet rom dhe lagja më e madhe e komunitetit rom e rrethuar ndërmjet shqiptarëve dhe serbve, ka ndikuar jashtëzakonisht vështirë. Pasi që të dy palët na shfrytëzonin neve për ndikime politike, e madje edhe si punëtorë fizikë për hapjen e varreve apo edhe gropave të ndryshme që i kanë shfrytëzuar për luftë dhe për të varrosur viktimat e luftes…” – nis rrëfimin familjari i viktimës me aftësi të kufizuara.

Ai, vazhdon rrëfimin duke treguar se si ka ndikuar lufta në përditshmërinë e jetesës së tyre në familje: “Përditëshmëria e familjes sime ka ndryshuar drastikisht pasi që janë frikësuar të punonin dhe janë izoluar në shtëpinë e tyre. Pasi që në dy lagje të komuniteteve rom në Prizren, në Qytmahallë dhe në lagjen Janina kishin rënë bomba. Andaj bombardimet kanë qenë frikësuese dhe secila familje mbrohej në bodrumet e shtëpive të tyre. Kush nuk kishte bodrume vinin tek ne për t’u mbrojtur nga ndonjë bombë që mund të na binte mbi kokë. Nga ana tjetër kishim frikë dhe nga serbët dhe nga shqipëtarët pasi që vinin e i mirrnin djemtë e rinj me dhunë për t’i shfrytëzuar për interesat e tyre” – u shpreh ai.

Duke treguar rrëfimet e tij, ai na njofton dhe me strukturën familjare të tyre: “Familja jonë kishte dy fëmijë invalidë, pra xhaxhallarët e mi, me një sëmundje invalidore. Atyre u duheshin barna. Dëshironin të dilnin lirë. Andaj ata kanë pësuar trauma më të mëdha gjatë luftës. Prandaj herë pas here ata iknin dhe shëtitnin pasi që ishte vështirë të i ndaloje ata. Kështu ndodhi një ditë xhaxhai i vogël i cili është akoma gjallë, doli për të shëtitur. Ai nuk largohet asnjëherë nga shtëpia apo lagja jonë. Gjithmonë rri poshtë lagjes duke shikuar kush kalon, nxënësit e gjimnazit apo edhe veturat që kalojnë…” – tregoi nën emocione familjari.

Ai vazhdon dhe tregon historinë e familjarit të tij: “...U bë një kohë e gjatë dhe ai nuk u kthye në shtëpi, andaj e gjithë familja ishte në ankth pasi që shumë persona zhdukeshin, vriteshin apo ziheshin peng, apo edhe u burgosnin pa bërë asgjë… Kështu i ndodhi edhe xhaxhait tim invalid. Atë e morrën dhe e futën në një shtëpi apo hapësirë të fshehur. E rrahën, e maltretuan, ia thyen të gjitha dhëmbët. Ia kishin fikur cigaret apo duhanin në duart dhe krahët e tij…” – u shpreh nën emocione familjari i tij.

Familjari, vazhdon rrëfimin e tij.

“Familja ishte në brengë dhe frikë të madhe. Lajmëruan policinë për humbjen e tij… Ai pastaj vetvetiu është kthyer në shtëpi i raskapitur nga tortura. Qante, bërtiste aq sa mundte dhe meqë ai është me aftësi të kufizuara dhe ishte memec, nuk mund të tregonte se çfarë kishte. Nëna e tij dhe e gjithë familja u tmerruan kur e panë që i rridhte gjaku nga fytyra dhe nga dhëmbët e thyera, por dhe këmishën e mbushur me gjak. Kur ia hoqen këmishën ata e panë që me thikë e kanë prerë dhe e kanë gërryer me shkronja të mëdha UÇK…” – tregon ai.

Familjari më tutje vazhdon të na rrëfej historinë e përjetuar nga familjari i tij:

“E thirrën policinë dhe rasti filloj të trajtohej, nuk ka pasur asnjë përgjigje dhe asnjëherë nuk është zbardhur rasti për të ditur se kush ka pasur zemër, apo cili mizor e ka bërë këtë…” – njofton ai. Për më shumë, ai tregon dhe për përkrahjen institucionale nga ana e shtetit: “Asnjë institucion nuk e ndihmoi atë për të ia kaluar atij dhe familjes traumat. Asnjë ndihmë financiare apo shërbim tjetër nuk i’u është dhënë. Madje as nuk e kanë pranuar edhe si invalid të luftës pasi pësoi tortura nga caqe të panjohura. Si dhe, nuk ka asnjë ndihme shtesë përveç pensionit invalidor që nuk i mjafton as që të blejë barna për vete…” – rrëfehet familjari.

Ai vazhdon rrëfimin duke na treguar se si familjari i tij është ndikuar pas asaj që kaloi: “Nga ajo ditë atij iu zhduk fëmijëria dhe rinia, herë pas here ai është shndërruar në një person dhunues dhe herë pas here qanë pa pasur ndonjë arsye. Në asnjë dokumentim zyrtar nuk është përfshirë historia e tij dhe asnjëherë nuk i është ofruar ndonjë ndihmë shtesë.” – tregon ai.

Për më tepër, familjari ka dhe një kërkesë ndaj institucioneve shtetërore:

“Drejtësia për të duhet të vie nga institucionet shtetërore. Pasi që dhe ai duhet të marrë pensionin e invalidit të luftës, që së paku këto vitet e mbetura të jetës së tij të ketë dhe një stimulim financiar që sa do pak do ia mbuloj nevojat mujore.” – shprehet ai. Ai, nën emocione e përfundon intervistën duke u shprehur: “Xhaxhai edhe ndoshta i ka parë ose i ka njohur ata njerëz që e maltretuan por ai frikësohej shumë nga ata dhe për vëllanë e tij të madh që mos t’i ndiqte përmes institucioneve të drejtësisë dhe mos ta vrisnin atë. Andaj, edhe pse me aftësi të kufizuara, ai ishte altruist. E gjithë familja e shikojnë dhe kujdesen për të si një fëmijë i vogel pasi që e dijnë se çfarë ka kaluar dhe çfarë torturash i ka përjetuar…” – përmbyll nën emocione rrëfimin ai.

Ky artikull gazetaresk është i shkruar nga gazetarja Shyret Hoxhaj
Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace – Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme