“Çfarë mund të presë nga OKB-ja Sudani, Somalia, Palestina apo ndonjë popull tjetër që jeton në luftë. Për dekada të tëra, vetëm deklarata e deklarata. Dhe madje edhe ngjarjet në Gaza mbeten pa rrugëdalje…”, tha Zelenskyy
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se kërkon të vazhdojë luftën në Ukrainë duke e zgjeruar atë, transmeton Anadolu.
“Tani dronët rusë po fluturojnë nëpër Evropë dhe operacionet ushtarake tashmë po përhapen nëpër vende dhe Putin dëshiron ta vazhdojë këtë luftë duke e zgjeruar atë. Dhe tani askush nuk mund të ndihet i sigurt”, tha Zelenskyy në fjalimin e tij në seancën e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Duke argumentuar se bota po lëviz “shumë ngadalë për të mbrojtur veten”, Zelenskyy tha se është vetëm çështje kohe para se dronët të luftojnë dronë të tjerë, si dhe të shënjestrojnë infrastrukturën kritike dhe vetë njerëzit, me përjashtim të disave që kontrollojnë sistemet e inteligjencës artificiale.
Më tej, Zelenskyy argumentoi se ata aktualisht po jetojnë në mes të “garës më shkatërruese të armatimeve në historinë e njerëzimit” për shkak të përfshirjes së inteligjencës artificiale.
“Nëse nuk ka garanci të vërteta të sigurisë përveç miqve dhe armëve dhe nëse bota nuk mund t’u përgjigjet as të gjitha kërcënimeve dhe nëse nuk ka një platformë të fortë për sigurinë ndërkombëtare, a do të mbetet ndonjë vend për ne që ende është i sigurt për njerëzit”, u shpreh ai.
Sipas presidentit ukrainas, Rusia po “përpiqet t’i bëjë” Moldavisë atë që “Irani i bëri Libanit”, duke paralajmëruar Evropën se nuk mund të “përballojë humbjen” e Moldavisë, i cili do të mbajë zgjedhje parlamentare më 28 shtator.
Ai argumentoi se përgjigja globale në këtë drejtim ishte e “pamjaftueshme” dhe se ata e “kanë humbur tashmë Gjeorgjinë në Evropë”.
Në fjalimin e tij, Zelenskyy gjithashtu kritikoi institucionet ndërkombëtare për jo-efektivitetin në lidhje me zonat e konfliktit.
“Çfarë mund të presë vërtet nga OKB-ja apo sistemi global Sudani, Somalia, Palestina apo ndonjë popull tjetër që jeton në luftë. Për dekada të tëra, vetëm deklarata e deklarata. Dhe madje edhe ngjarjet në Gaza mbeten pa rrugëdalje. Edhe tani, Siria, pas të gjitha ndryshimeve, ende duhet t’i bëjë thirrje botës për të lehtësuar sanksionet që po e pengojnë ekononinë e saj”, tha Zelenskyy.
Më tej, ai argumentoi se e drejta ndërkombëtare nuk funksionon plotësisht “nëse nuk ke miq të fuqishëm që janë vërtet të gatshëm ta mbrojnë atë”.
“Nuk ka garanci të sigurisë përveç miqve dhe armëve, asnjë ukrainas nuk e zgjodhi këtë lloj realiteti”, shtoi ai.