Zelensky: 130 njerëz u shpëtuan nga rrënojat e teatrit të bombarduar, qindra mbesin nën to

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se 130 persona janë shpëtuar nga rrënojat e teatrit të bombarduar në qytetin e Mariupol deri më tani.

Qindra njerëz po strehoheshin në teatër kur mbi të ranë bombat ruse.

Duke folur në televizionin ukrainas, Zelensky tha se operacionet e shpëtimit po vazhdojnë punën, pavarësisht vështirësive.

Megjithatë, qindra njerëz janë ende nën rrënoja në Mariupol, shtoi Zelensky.

Të premten, zyrtarë nga rajoni i Donetskut dhe Kievit thanë se nuk kishin informacione të përditësuara se sa njerëz i kishin mbijetuar sulmit. Të enjten, komisionerja e Ukrainës për të drejtat e njeriut, Liudmyla Denisova, tha se nuk kishte asnjë përditësim mbi shifrat e publikuara, sipas të cilave 130 njerëz ishin shpëtuar nga gjithsej 1300 sa besohej se ishin strehuar në ndërtesë.

Zelensky paralajmëroi gjithashtu se do të ishte humbje morale e liderëve perëndimorë nëse Ukraina nuk merr armë të avancuara, shkruan CNN, raporton Gazeta Express.

“Ne ende nuk kemi mbrojtje raketore. Ne nuk kemi mjaft avionë luftarakë”, tha Zelensky.

“Ne do t’u bëjmë thirrje edhe më të zëshme disa liderë perëndimorë dhe do t’u kujtojmë atyre se kjo do të jetë disfata e tyre morale nëse Ukraina nuk merr armët e avancuara që do të shpëtojnë jetën e mijëra njerëzve tanë. Raketat ruse nuk do të mposhten nga disa armë gjuetie që ata përpiqen të na shesin ndonjëherë”. tha ai.

Kategoritë
BotaLajme