“Sulmet dhe kërcënimet kundër atyre që përpiqen të ofrojnë ndihmë dhe të mbështesin qindra mijëra njerëz që vuajnë nga zia e bukës dhe urisë në Gaza janë të pabesueshme”, tha Al-Kheetan
Zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Thameen Al-Kheetan tha se sulmi ndaj Flotiljes Globale “Sumud”, e cila ishte në rrugë për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza nën sulmin izraelit, është “i pabesueshëm”, transmeton Anadolu.
Ai bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me sulmin ndaj flotiljes nga mjete ajrore pa pilot (dronë) brenda zonës së përgjegjësisë së kërkim-shpëtimit (SAR) të Greqisë.
“Sulmet dhe kërcënimet kundër atyre që përpiqen të ofrojnë ndihmë dhe të mbështesin qindra mijëra njerëz që vuajnë nga zia e bukës dhe urisë në Gaza janë të pabesueshme. Një hetim i pavarur, i paanshëm dhe gjithëpërfshirës duhet të nisë për sulmet dhe ngacmimet e kryera nga dronë dhe mjete të tjera kundër Flotiljes Globale ‘Sumud’ gjatë rrugës për në Gaza”, deklaroi Al-Kheetan.
Sipas tij, sulme të tilla duhet të ndalen dhe ata që janë përgjegjës për këto shkelje të mbahen përgjegjës. “Izraeli, si fuqi pushtuese, duhet t’i sigurojë popullit të Gazës furnizime ushqimore dhe mjekësore me të gjitha burimet e tij ose të pranojë dhe lehtësojë programe të paanshme ndihme humanitare që do të ofrohen shpejt dhe pa pengesa”, tha Al-Kheetan.
Ai tha se Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk i bëri thirrje Izraelit të heqë menjëherë bllokadën që i ka vendosur Rripit të Gazës dhe të lejojë hyrjen e furnizimeve me çdo mjet të mundshëm.
Flotilja Globale “Sumud” e cila ishte në rrugë nga Greqia për të ofruar ndihmë humanitare në Gaza, u sulmua nga dronët në zonën e përgjegjësisë së kërkim-shpëtimit (SAR) të Greqisë.