Witkoff zbulon se çfarë do të jetë problem në negociata, pretendon se Zelensky e ka pranuar që Ukraina nuk do të hyjë në NATO

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, por edhe për Rusinë dhe Ukrainën, Steve Witkoff, ka thënë se problemi më i madh në zgjidhjen e luftës ruso-ukrainase është çështja e Krimesë dhe e “katër rajoneve” në të cilat Rusia ka mbajtur referendume të paligjshme për bashkim me të.

Ai ishte mysafir në podcastin e Tucker Carlson-it, ku foli për negociatat për armëpushimin në Ukrainë.

Me katër rajonet, që ai beson se do të jenë problem në negociata, Witkoff i referohet rajoneve të pushtuara përkohësisht: Donjeckut, Luganskut, Hersonit dhe Zaporizhjas. Sipas tij, shumica e popullsisë në këto rajone ka folur rusisht dhe ka dashur t’i bashkohet Federatës Ruse.

Witkoff gjithashtu theksoi se këto territore të pushtuara të Ukrainës “gjithmonë kanë qenë problem”.

“E dini, askush nuk ka dashur të flasë për këtë. Kjo është një lloj elefanti në dhomë. Një ‘elefant tjetër në dhomë’ janë çështjet kushtetuese në Ukrainë lidhur me atë çfarë mund të pranojnë kur bëhet fjalë për humbjen e territoreve. Rusia i kontrollon këto vende. Pyetja është nëse bota do ta njohë që këto territore janë ruse? A do të mundet Zelensky të mbijetojë politikisht nëse e pranon këtë? Kjo është çështja kryesore e konfliktit,” tha Witkoff.

I dërguari special i Trump-it gjithashtu beson se Rusia nuk dëshiron ta përthithë të gjithë Ukrainën, sepse “ka marrë atë që ka dashur”.

Më herët, presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina qëndron në qëndrimin se nuk i njeh territoret e pushtuara si ruse. Ndërkohë, zyrtarët perëndimorë konsiderojnë se presidenti rus Vladimir Putin nuk planifikon të bëjë lëshime lidhur me çështjet territoriale, forcat paqeruajtëse dhe neutralitetin e Ukrainës.

Witkoff më tej deklaroi se Ukraina nuk do të mund të bëhet anëtare e NATO-s për shkak të qëndrimeve të Uashingtonit dhe Moskës për këtë çështje, dhe se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, siç thuhet, e ka pranuar këtë “de facto”.

Witkoff përmendi se aktualisht janë në zhvillim bisedime për mundësinë që Ukrainës t’i jepen garanci sigurie të ngjashme me nenin 5 të Kartës së NATO-s nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, por pa anëtarësim formal në Aleancë.

“Kjo çështje mbetet e hapur për diskutim të mëtejshëm, por mendoj se do të pranohet: nëse arrihet një marrëveshje paqeje, Ukraina nuk do të bëhet anëtare e NATO-s,” tha Witkoff.

 

Kategoritë
BotaLajme