Whitaker i pyetur nëse NATO do të ndërhynte në rast konflikti në Bosnje e Hercegovinë: “Kjo varet nga 32 anëtaret, jemi larg një situate të tillë”

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, deklaroi në Forumin Strategjik të Bledit se një ndërhyrje e mundshme e NATO-s në rast konflikti në Bosnje e Hercegovinë do të varej nga vendimi i të gjithë 32 aleatëve dhe se, sipas vlerësimit të tij, aktualisht nuk ka asnjë shenjë që një situatë e tillë mund të ndodhë.

“Në fund të fundit, kjo është një vendim i të gjitha 32 aleatëve dhe merret unanimisht. Mendoj se jemi ende larg diçkaje të tillë,” tha Whitaker.

Ambasadori kujtoi rëndësinë e Marrëveshjes së Dejtonit si kornizë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe nxitjen e paqes në vend.

“Inkurajoj të gjitha palët të veprojnë brenda kornizës së Marrëveshjes së Dejtonit. Ekziston një kornizë e qartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për promovimin e paqes. Kjo është gjithmonë ajo për të cilën duhet të punojmë,” theksoi Whitaker, duke kujtuar se këtë vit ishte në Dejton për të shënuar 30-vjetorin e Marrëveshjes.

I pyetur konkretisht për rolin e NATO-s, ambasadori theksoi se EUFOR tashmë ka forca ushtarake të pranishme në Bosnje e Hercegovinë dhe se NATO sot është më e fortë dhe më e fokusuar se kurrë.

“Ne shohim një kornizë që mundëson zgjidhjen e konflikteve dhe inkurajimin e paqes. Rregulli numër një në politikë është të mos i përgjigjesh pyetjeve hipotetike. Duhet të ndjekim zhvillimin e ngjarjeve, sepse historia tregon se shpesh ndodh e kundërta e asaj që pritet. NATO sot është më e fortë se kurrë, më e fokusuar, dhe kjo është diçka e mirë për Evropën dhe Atlantikun e Veriut,” përfundoi Whitaker.

Kategoritë
BotaLajme