VV nis fushatën për balotazh me tubim në Prishtinë, Kurti premton investime milionëshe

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tubim në Prishtinë, përmes të cilit ka shënuar hapjen zyrtare të fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale.

Në këtë ngjarje, fjalën e mori kryetari i VV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për kandidatët e Vetëvendosjes, duke përmendur disa nga vendimet e fundit të qeverisë që drejton, raporton KosovaNews.

“Të votoni për atë parti që në nivelin qendror i ka rritur ndjeshëm rrogat e pensionet, bursat për studentët dhe shtesat për fëmijët”, tha Kurti.

Ai foli edhe për qeverisjen lokale të partisë, duke theksuar se komuna ku ka udhëhequr VV-ja ka pasur më shumë investime se më parë.
“Në nivelin lokal ku do që kemi qeverisur, kemi investuar shumë më tepër se paraardhësit tanë, nga të cilët kemi trashëguar vetëm borxhe”, deklaroi ai.

Kurti iu drejtua edhe qytetarëve që tradicionalisht votojnë parti të tjera.

“Mos e shikoni partinë kësaj radhe, por shikojeni punën që është bërë e do të bëhet”, tha ai.

Duke folur për planet e ardhshme, ai përmendi mundësinë e investimeve të mëdha në komuna.

“Pse mos të vijnë edhe në komuna tjera investime dhjetëra milionëshe? Mendoni mirë qytetarë, zgjidhni kryetarin e duhur dhe që ju duhet. Ne kemi premtuar dhe do ta mbajmë fjalën – 1 miliard euro investime për komunat”, tha ndër të tjera Kurti.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi