Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka ndarë sot një fotografi nga takimi i përbashkët me kundërkandidatët e tjerë në Vushtrri, pak orë para fillimit të fushatës zyrtare, shkruan Gazeta Metro.
Idrizi ndau fotografinë ku bëjnë pjesë edhe kandidatët e tjerë për kryetar të Vushtrrisë, teksa shihet se kishin dalë për një kafe para se të fillojë edhe zyrtarisht gara për zgjedhjet lokale që mbahen më 12 tetor.
“Këtë mëngjes në Vushtrri u takuam miqësisht me kundërkandidatët për kafe. Na pret një muaj plot aktivitete, por për ne mbetet detyrë e parë të përcjellim mesazhin e qytetarisë dhe të bëjmë një fushatë të ndershme. Vushtrria është mbi çdo garë”, shkroi kryetari Idrizi.
Në këtë takim që përçon mesazh të mirë dhe qytetarie para zgjedhjeve, mungoi vetëm kandidati i VV-së për Vushtrri, Sylejman Meholli. Kandidatët e tjerë ishin pjesë e këtij takimi të veçantë, duke përfshirë ish-kryetarin Xhafer Tahiri dhe deputeten Xhevahire Izmaku./gazetametro