Vuçiq pretendon se bashkëpunimi ushtarak i vendeve fqinje është kundër Serbisë

“Kosova, Kroacia dhe Shqipëria nuk formuan rastësisht një aleancë ushtarake. Ato nuk e formuan këtë aleancë kundër Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por kundër Serbisë”, tha Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes midis Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë është formuar kundër Serbisë, transmeton Anadolu.

Pas pjesëmarrjes në paradën ushtarake të mbajtur në kryeqytetin e Kinës, Pekin, me rastin e përkujtimit të 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Vuçiq bëri deklarata për gazetarët.

Vuçiq tha se Kina ka avionë shumëfunksionalë të nivelit të lartë dhe helikopterë modernë dhe se mund të jenë të interesuar për blerjen e tyre.

Ai theksoi se po shqyrtojnë se çfarë armësh mund të blejnë për t’i siguruar ushtrisë serbe një fuqi parandaluese kundër çdo sulmi të mundshëm që mund të vijë nga vendet fqinje.

“Kosova, Kroacia dhe Shqipëria nuk formuan rastësisht një aleancë ushtarake. Ato nuk e formuan këtë aleancë kundër Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por kundër Serbisë. Serbia nuk do të prekë askënd, por do të forcojë ushtrinë e saj për të mbrojtur integritetin e saj territorial”, tha Vuçiq.

Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars për të bashkëpunuar në fushën mbrojtjes.

Kategoritë
LajmeRajoni