Vuçiq tha se Serbia pret sfida serioze në lidhje me Kosovën dhe aleancat ushtarake rajonale
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij do të përballet me probleme shumë më të mëdha në lidhje me Kosovën dhe për shkak të aleancave ushtarake që po formohen në rajon, transmeton Anadolu.
Mbrëmë, gjatë një interviste në kanalin televiziv “Prva”, Vuçiq tha se Serbia pret sfida serioze në lidhje me Kosovën dhe aleancat ushtarake rajonale.
“Pra, pas aleancës ushtarake Tiranë-Prishtinë-Zagreb, është formuar edhe një aleancë ushtarake shtesë Zagreb-Lubjanë. Dhe është mjaft e sigurt se ajo nuk është krijuar për shkak të Austrisë ushtarakisht neutrale, por, sigurisht, për shkak të Serbisë. Ata presin pa mëdyshje që Bullgaria të përfshihet në atë aleancë. Ministri kroat i Mbrojtjes e ka përsëritur këtë disa herë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se Serbia nuk po merr asnjë përgjigje nga Evropa për pyetjet se pse formohen aleanca të tilla.
“Nuk mund të marrim një përgjigje. Thjesht konsiderohet krejtësisht normale, edhe pse Kosova nuk është shtet, jo vetëm për ne, por edhe për katër vende anëtare të NATO-s dhe pesë vende të Bashkimit Evropian. Por, askush nuk është i interesuar të flasë për këtë”, tha Vuçiq.
Presidenti serb theksoi se ruajtja e paqes është me rëndësi thelbësore për vendin e tij, duke shtuar se po bëhen investime në ushtri me qëllim ruajtjen e paqes dhe pengimin e sulmeve të mundshme ndaj Serbisë.
“Ta ruajmë paqen sepse në paqe ecim përpara. Të ruajmë stabilitetin, paqen, sigurinë, të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, ta ndërtojmë vendin tonë”, tha ai.