Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencën për media të mbajtur në Beograd së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, hodhi poshtë në mënyrë kategorike pretendimet se takimi i sotëm kishte karakter mbrojtës.
Vuçiq tha se gjatë bisedimeve me Zelenskin nuk është diskutuar për ndonjë bashkëpunim ushtarak ndërmjet Serbisë dhe Ukrainës, duke shtuar se për çështje të tilla mund të flitet eventualisht vetëm pas përfundimit të luftës. Ai shprehu shpresën që vrasjet të përfundojnë sa më shpejt.
Si një nga temat kryesore të bisedimeve, Vuçiq veçoi integrimin evropian të Ukrainës. Ai tha se ia ka prezantuar Zelenskit në mënyrë të detajuar qëndrimin e Serbisë, duke shtuar se e kupton plotësisht dëshirën e Kievit për të hapur sa më shpejt të gjithë klasterët negociues dhe për të përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, Vuçiq konfirmoi se Serbia, së bashku me Izraelin, po ndërton një fabrikë dronësh në territorin e Serbisë, duke theksuar se hapja e saj është planifikuar për 15 ose 20 shtator.
“Ne këtë po e bëjmë me izraelitët. Ukrainasit janë shumë të suksesshëm dhe kanë shumë fabrika të tyre të dronëve”, tha Vuçiq.



















