Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se tri ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin mund t’ia rrezikonte jetën.
Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, me goditje me një mjet të fortë. Sipas Prokurorisë, ajo sapo ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga policia, pasi kishte raportuar dhunë në familje dhe ish-bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë. I dyshuari për vrasjen ndodhet në arrati.
Më 22 tetor, Zekaj ishte ankuar për dështime institucionale dhe kishte kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor që ia mundësonte shfrytëzimin e shtëpisë. Ajo kishte edhe urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor.
Prokuroria tha se ishte planifikuar që një patrullë policore të qëndronte pranë shtëpisë gjatë kthimit të saj, por nuk sqaroi nëse policia kishte qëndruar aty mbrëmjen e vrasjes.
Pas rastit, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi raport të detajuar për përgjegjësitë e mundshme institucionale dhe individuale, ndërsa Inspektorati Policor nisi hetime për mënyrën e trajtimit të denoncimeve të saj.
