Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, konfirmoi një javë më parë se është në fazën përfundimtare marrëveshja për furnizimin me armatim të ri nga Kina. Me këtë rast, ai dha edhe detaje të reja lidhur me aspektet tregtare të fabrikës së ardhshme të përbashkët të dronëve mes Serbisë dhe kompanisë izraelite Elbit.
Pasi gjatë vizitës së presidentit ukrainas në Beograd konfirmoi se impianti i përbashkët për prodhimin e dronëve me Elbit do të hapet mes 15 dhe 20 shtatorit, Vuçiç në Priboj dha për mediat më shumë hollësi rreth marrëveshjes së planifikuar mes shtetit serb dhe kompanisë izraelite.
“Dronët që nuk do t’ia shesim ushtrisë sonë, pra tepricat për treg, do t’i shesim diku tjetër. Mund t’ju them se për kë janë të destinuar, por nuk do ta bëj. Tashmë ekziston një treg i konsiderueshëm për ta”, tha Vuçiç.
Sipas tij, zona ku pritet të eksportohen dronët “nuk është drejtpërdrejt e përfshirë në luftë, por as nuk është larg konfliktit dhe për këtë arsye duan të sigurohen”.
“Nuk mund t’i marrin nga Izraeli, por mund t’i marrin nga Serbia. Shkëlqyeshëm. Kemi për nevojat tona, kemi transferim të teknologjisë dhe mund të fitojmë diçka edhe nga tregtia”, tha Vuçiç.



















