Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, deklaroi mbrëmjen e sotme se Serbia posedon raketa balistike hipersonike ajër-tokë, duke theksuar se vendi i tij nuk ka ndërmend të sulmojë askënd. Megjithatë, ai shprehu frikën se Serbia në të ardhmen mund të bëhet objekt i një sulmi nga një aleancë e pretenduar ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Në një intervistë për Radio-televizija Srbije, Vuçiç tha se bëhet fjalë për raketat me fuqi të madhe shkatërruese CM-400, të cilat mund të godasin objektiva në distancë prej 200 deri në 400 kilometrash.
“Ne kemi një numër të konsiderueshëm të këtyre raketave dhe do të kemi edhe më shumë,” tha Vuçiç.
Ai shtoi se ka shqetësime për një aleancë ushtarake mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës, duke përsëritur pretendimin se ajo është e drejtuar kundër Beogradit dhe se “vetëm presin një konflikt më të madh në botë për të sulmuar”.
“Po përgatitemi për sulmin e tyre”
“Po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata po formojnë një aleancë për të na sulmuar. Ata po presin një moment që do të ndodhë në të ardhmen, kur të shpërthejë një konflikt i madh mes Evropës dhe Rusisë dhe në Lindjen e Mesme. Ne po i bëjmë të gjitha këto për t’u mbrojtur. Ata po presin kaos në botë që t’u krijohet mundësia,” deklaroi Vuçiç.



















