Pas ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Malishevës, ku dy vëllezër nga fshati Gullbovc humbën jetën, ka reaguar kryetari i Bashkësisë Islame në Malishevë, Sead ef Paqarizi.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Paqarizi ka bërë thirrje për ndërgjegjësim shoqëror dhe ndalimin e vëllavrasjes, duke theksuar se vrasja është një mëkat i rëndë ndaj Zotit dhe njerëzimit.
Në mesazhin e tij, ai ka apeluar që shoqëria të kthehet drejt mëshirës, urtësisë dhe pajtimit, duke theksuar se “një shoqëri që lejon vëllavrasjen, shemb themelet e vetvetes”.
Postimi i plotë
Në çdo shoqëri që ka humbur ndjeshmërinë ndaj jetës, krimi bëhet lajmi i ditës, e gjaku bëhet shifër.
Por për ne, që besojmë në Zotin dhe në shenjtërinë e njeriut, çdo jetë është një botë më vete.
Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin Famëlartë thotë:
“Kush e mbyt një njeri pa të drejtë, është sikur ka mbytur gjithë njerëzimin; e kush i shpëton jetën një njeriu, është sikur i ka shpëtuar jetën gjithë njerëzimit.”
(El-Maide, 32)
Vrasja nuk është vetëm krim kundër ligjit, është mëkat i rëndë kundër Zotit, kundër ndërgjegjes, kundër nderit dhe kundër gjakut të vet.
Vrasësi shkatërron veten para se të shkatërrojë tjetrin, sepse dora që derdh gjak të pafajshëm, mban mbi vete mallkimin e qiellit dhe të tokës.
Pejgamberi Muhamedi a.s. ka thënë:
“Shkatërrimi i gjithë botës është më i vogël para Allahut sesa vrasja e një njeriu të pafajshëm.”
Kjo është një thirrje për ndërgjegjësim, për kthim te mëshira, urtësia dhe pajtimi.
Mos të lejojmë që mllefi të bëhet gjykatës, as zemërimi të udhëheqë dorën.
Të ndërtojmë ura, jo varre.
Një shoqëri që lejon vëllavrasjen, shemb themelet e vetvetes.
Në këtë ditë të rëndë, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Morina nga Gullbovci, e cila humbi dy bij të saj, dy vëllezër në një ngjarje që ka tronditur të gjithë.
Zoti i mëshiroftë ata, i pranoftë në mëshirën e Tij, e familjes së tyre i dhëntë durim, forcë dhe dritë në këtë dhimbje të rëndë.
Lus Zotin xh.sh. që të jetë vrasja e fundit!












