Avokati kosovar, Ardian Bajraktari e vlerëson vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova si një tentativë e këtyre dhomave për të qenë më transparent se sa që ishin deri tash.
Bajraktari në një prononcim për GazetaBlic thekson se, kësaj gjykate deri më tani i ka munguar transparenca dhe kjo sipas tij e minon besimin e publikut në raport me punën e çdo gjykate
“Siç dihet nga parimet bazë të punës së çdo gjykatë është transparenca, e cila kësaj gjykatë i ka munguar dhe i mungon shumë. Natyrisht se mungesa e transparencës, në masë të madhe e zbehë, apo e minon besimin e publikut në raport me punën e çdo gjykate, rrjedhimisht edhe të Dhomave të Specializuara, apo Gjykatës Speciale, siç njihet ndryshe në publik”, thotë Bajrakatari.
Tutje, Bajraktari shton se Dhomat e Specializuara ndodhen para një sfide të madhe.
“Përveç se besimi i publikut ndaj kësaj gjykate është relativisht i ulët, këto dhoma ndodhën para një sfide, për të dëshmuar nëse janë të interesuara të hetojnë dhe gjykojnë vërtetë krimet e kryera në Kosovë, nga ana e forcave serbe, apo janë gjykatë një etnike, e cila “heton dhe gjykon” viktimën”, thotë ai.
“Kjo gjykatë, puna dhe juridiksioni i saj, muaj më parë u sfidua nga një deputet i Kuvendit të Kosovës, z. Enver Dugolli, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, i cili bëri një denoncim përkatësisht kallëzim pran Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në lidhje me këtë masakër të tmerrshme, të kryer nga forcat serbe ndaj të burgosurve shqiptarë në këtë burg në vitin 1999”, shtoi tutje.
“Andaj, kjo gjykatë duhet në radhë të parë të punoj drejt dhe të dëshmohet, se është vërtet e interesuar të hetoi dhe gjykoi kriminel, legjislacioni e mundëson, por edhe nëse ka ndonjë dilemë (ligjore), me vullnet shpejtë mund të adresohen ato, e po ashtu të punoj më shumë në rritjen e transparencës edhe rreth punës së saj e edhe të seancave gjyqësore, vetëm kështu mund të fitohet besim i publiku, në raport me punën e kësaj gjykate”, tha ai për GazetaBlic.