Vendimi për mandatarin, Kurti deklarohet shkurt: Vendosim të dielën në Këshillin e Përgjithshëm

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti është deklaruar sot shkurtimisht në lidhje me vendimin për mandatarin.

Ai ka thënë para mediave se ky vendim pritet të merret në fundjavë.

“Kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të dielën,” ka thënë Kurti shkurt.

Vendimi i tyre për mandatarin pritet të vije pasi kryetari i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka konsideruar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar, duke i hapur kështu rrugë formimit të Qeverisë.

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët e Kuvendit, tre nga partitë shqiptare dhe një nga minoritetet joserbe, ndërkaq nënkryetari i pestë, nga minoriteti serb mbetet i pavotuar.

Deputetët e opozitës nuk kanë votuar pro asnjë deputeti të Listës Serbe dhe as Nenad Rashiqit, pasi sipas tyre nënkryetarët nga minoritetet duhet të votohen në pako dhe jo të ndarë e që sipas tyre ky veprim është jokushtetues.

Deputetët e VV-së kanë votuar kundër 9 deputetëve të Listës serbe, nga tri herë duke i “djegur” të gjithë ata si dhe Nenad Rashiqin.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe deputetët e VV-së kanë bërë thirrje në vazhdimësi për ta votuar Nenad Rashiqin, i cili sipas tyre është deputet serb i cili e njeh Republikën e Kosovës por që as ai nuk është votuar për tri herë sa është vënë në votim.

Ndërkombëtarët, partitë opozitare, Presidentja Osmani, dhe vetë Nenad Rashiq e kanë konsideruar Kuvendin e Kosovës ende të pakonstituuar, duke deklaruar se nuk mund të vazhdohet me formimin e Qeverisë, por që sipas VV-së, Kuvendi është i konstituuar me katër nënkryetarë dhe kryetarin.

Lista Serbe e ka dërguar si ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.

Në njoftimin e tyre thuhet se presin nga Kushtetuesja të reagojë dhe të marrë masat e nevojshme.“

Ata Kuvendit të Kosovës i referohen si ‘Kuvendi në Prishtinë”.

“Anëtarët e Listës Serbe dorëzuan sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkeljen e rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e Kuvendit në Prishtinë. Parimet kushtetuese dhe demokratike janë shkelur rëndë, dhe populli serb nuk është në gjendje t’i ushtrojë të drejtat e garantuara. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të reagojë urgjentisht dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sundimin e ligjit, si dhe të drejtat e popullit serb në përputhje me aktet ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e tyre.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi