Vendi i negociatave mes Rusisë dhe Amerikës tetë vjet më parë ishte “burg” për kundërshtarët e princit saudit

Në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, janë planifikuar raunde të reja negociatash për përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila filloi me agresionin rus ndaj këtij vendi në shkurt të vitit 2022.

Negociatat mes palës ruse dhe asaj amerikane, të cilat kanë filluar mëngjesin e sotëm, po zhvillohen në hotelin Ritz-Carlton në Riad.

Megjithëse bëhet fjalë për një nga markat më të njohura të hotelerisë në botë, si dhe për një nga hotelet më luksoze në Arabinë Saudite, vetëm tetë vjet më parë situata ishte krejt tjetër.

Në fillim të nëntorit të vitit 2017, princi Mohammed bin Salman e kishte shndërruar këtë hotel në një burg de-facto për shumë anëtarë të familjes mbretërore, miliarderë dhe persona të tjerë që i konsideronte kundërshtarë të tij.

Ata u mbajtën në hotel deri sa nënshkruan për të dorëzuar një pjesë të madhe të pasurisë së tyre në favor të shtetit saudit, dhe mediat amerikane raportuan se kishte raste të torturës psikologjike dhe fizike.

Mohammed bin Salman, i cili asokohe sapo kishte filluar ngritjen e tij brenda familjes mbretërore saudite, e përshkroi këtë ngjarje si një “luftë kundër korrupsionit”, por shumëkush paralajmëroi se qëllimi i tij ishte të arrinte sa më shpejt në pozitën më të lartë të pushtetit në vend.

Edhe pse babai i tij, mbreti Salman, është formalisht udhëheqësi i shtetit, de-facto udhëheqës është princi MBS, i cili mban edhe funksionin e kryeministrit.

Pikërisht ngjarja e vitit 2017, e cila ndodhi në hotelin ku Amerika dhe Rusia do të bisedojnë për të ardhmen e Ukrainës, konsiderohet si fillimi zyrtar i sundimit të tij mbi Arabinë Saudite.

Kategoritë
BotaLajme