Vdiq Irmgard Furchner (99), ndoshta personi i fundit nga Gjermania i dënuar për Holokaustin

Ka ndërruar jetë në moshën 99-vjeçare ish-sekretarja e kampit nazist, e cila konsiderohet ndoshta personi i fundit i dënuar ndonjëherë në Gjermani për krimet e kryera gjatë Holokaustit.

Irmgard Furchner u dënua në vitin 2022 me dy vjet burg me kusht për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10.000 personave në kampin Stutthof në Poloninë e pushtuar.

Zëdhënësja e gjykatës në qytetin Itzehoe në veri të vendit, ku ajo u gjykua, e konfirmoi vdekjen e Furchnerit, gruas së parë që u ndoq penalisht në Gjermani për krimet e epokës naziste.

Gati 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, po numërohen vitet e fundit në të cilat mund të përballen me drejtësinë kriminelët e lidhur me Holokaustin. Në vitet e fundit, disa raste janë mbyllur pasi të akuzuarit kanë vdekur ose nuk kanë qenë fizikisht në gjendje të gjykohen.

Midis qershorit 1943 dhe prillit 1945, Furchner ka marrë diktat dhe ka mbajtur korrespondencën e komandantit të kampit, Paul Werner Hoppe, ndërsa bashkëshorti i saj ishte oficer SS në të njëjtin kamp.

Vlerësohet se në kampin afër qytetit të sotëm Gdansk kanë humbur jetën rreth 65.000 persona, përfshirë të burgosur hebrenj.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit në vitin 2022, kryetari i trupit gjykues, Dominik Gross, deklaroi se “asgjë që ndodhi në Stutthof nuk ishte sekret” dhe se e akuzuara ishte e vetëdijshme për “kushtet jashtëzakonisht të këqija për të burgosurit”.

Kategoritë
BotaLajme