Vazhdon vuajtja e palestinezëve në Qusra: Ushtria largoi kolonët, por tani nuk i lejon banorët të dalin nga shtëpitë

Gjatë orëve të fundit, ushtarët janë vendosur para shtëpive palestineze të rrethuara në Qusra, duke penguar kolonët izraelitë që të kthehen dhe t’i bllokojnë ato.

Këtë e konfirmoi Yusuf Hassan, banor i njërës prej këtyre shtëpive, që ndodhet në jug të Nablusit.

Banorët e dy shtëpive në periferi të Qusras nuk kishin mundur të largoheshin nga shtëpitë e tyre që nga 9 gushti. Kjo bëri që në fund të javës së kaluar ushtria izraelite (IDF) të ndërmerrte një operacion, gjatë të cilit familjet u zhvendosën përkohësisht për të larguar kolonët.

Familjes Hassan dhe anëtarëve të familjes Abu Ridi, të cilët jetojnë në shtëpinë ngjitur, më pas iu lejua të ktheheshin.

Megjithatë, Hassan thotë se ushtarët ia kanë ndaluar daljen nga shtëpia për shkak të një urdhri që e shpall zonën si zonë të mbyllur ushtarake, çka në praktikë do të thotë se rrethimi vazhdon.

Ai shton se druhet se, sapo trupat e IDF-së të largohen nga zona, kolonët do të kthehen dhe do ta bllokojnë përsëri shtëpinë. Gjatë tri ditëve të fundit, ushtarët kanë qëndruar në një ndërtesë pranë njërës prej shtëpive të rrethuara për të parandaluar kthimin e kolonëve, megjithëse nuk është e qartë se në çfarë mase kanë arritur realisht t’i mbajnë larg.

Një banor i Qusras, i cili jeton relativisht afër shtëpive të rrethuara, tha për The Times of Israel se që nga mbrëmja e kaluar nuk janë parë kolonë në kodër dhe se trupat e IDF-së po patrullojnë zonën.

Gjatë muajve të fundit, në majë të kodrës, disa qindra metra mbi shtëpi, është ngritur postblloku i kolonëve Tel Talpiot. Palestinezët thonë se sulmet ndaj shtëpive në këtë zonë janë nisur nga ky post edhe përpara se kolonët të fillonin bllokimin e shtëpive në skajin e fshatit.

Kategoritë
BotaLajme