Vajza që u dhunua në Podujevë është e mitur, i dyshuari rreth 31-vjeç

Një rast i dhunimit që ka ndodhur në Podujevë u raportua nga Policia e Kosovës të enjten. Mësohet se viktima është e mitur rreth 16-vjeç, ndërsa i dyshuari i moshës madhore rreth 31-vjeç.

Ky i fundit është ndaluar për 48 orë dhe ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesën në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit.

Kështu bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Ndërkaq, në raportin policor u bë e ditur se viktima është dërguar në strehimore.

“DHUNIM – Podujevë 23.01.2023 – 01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar në strehimore”, thuhej në njoftimin e policisë.

Siç u bë e ditur, rasti ka ndodhur në vitin 2022, por nuk janë dhënë detaje të tjera.

“I dyshuari i mitur është ndaluar për 24 orë. Janë duke u zhvilluar hetime intensive”, ka thënë shkurt zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi, duke shtuar se nuk mund të japë detaje të tjera për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Kategoritë
LajmeVendi