Vajza palestineze nga Gaza mbet pa familje pas sulmit të Izraelit ndaj shkollës

Edhe pse Hanin mbijetoi, ajo ka pësuar djegie të rënda të shkallës së dytë dhe të tretë në fytyrë, krahë dhe këmbë, dhe sytë e saj janë të ënjtur

Vajza 6-vjeçare palestineze Hanin al-Wadiye nga Gaza, humbi familjen e saj dhe pësoi djegie të rënda në një sulm ajror nga ushtria izraelite në shkollën “Fahmi al-Jarjawi”, në të cilën po strehoheshin palestinezët e zhvendosur, raporton Anadolu.

Kjo shkolle u bë varr për familjen e cila u strehua duke menduar se ajo ishte “e sigurt”. Vetëm Hanin i mbijetoi sulmit në të cilin humbën jetën 31 persona, përfshirë 18 fëmijë dhe 6 gra.

Edhe pse Hanin mbijetoi, ajo ka pësuar djegie të rënda të shkallës së dytë dhe të tretë në fytyrë, krahë dhe këmbë, dhe sytë e saj janë të ënjtur. Në mediat sociale u shfaqën video të 6 vjeçares, e cila ndodhet në shtratin e spitalit për trajtim me fytyrën e saj të djegur dhe jashtëzakonisht të ënjtur, duke u përpjekur të shpjegojë incidentin.

Duke treguar se në ndërtesë shpërtheu një zjarr, Hanin shpjegoi duke marrë frymë dhe e frikësuar momentet e tmerrshme që kishte përjetuar. “Zjarri ishte i madh. Isha mbështjellë me një batanije, sepse kishte zjarr pranë meje. Dola nga poshtë batanijes dhe fillova të kërkoja nënën dhe babanë tim, por nuk munda t’i gjeja. Pastaj dëgjova zërin e nënës sime, por nuk e dija se ku ishte. Vrapova jashtë duke bërtitur: ‘Mami, mami'”, tha ajo.

– Krejtësisht vetëm dhe e plagosur

Hanin ka mbetur e vetme edhe me peshën e rëndë të plagëve të saj fizike por edhe me faktin se ajo ka mbetur krejtësisht vetëm.

Xhaxhai i Haninit, Ahmed al-Wadiye, i cili është mjek, u kujdes për mbesën e tij i cila ka mbetur jetime dhe që është e plagosur rëndë pas sulmit.

Në videot që qarkullojnë në mediat sociale, Ahmedi tha se familja e Haninit ishte strehuar në shkollën “Fahmi al-Jarjawi” duke ardhur nga lagjja Shuyaiyya për shkak të kërcënimeve izraelite për dëbim. Ai thotë se nuk ka vend të sigurt në Gaza, përfshirë shkollat dhe spitalet dhe se po shkelet i gjithë ligji ndërkombëtar.

Xhaxhai Ahmedi tregoi se Hanin humbi prindërit, motrën dhe xhaxhallarët e saj, ndërsa ka parë familjen e saj të digjet nga zjarri.

– Sulmet e Izraelit në zonat nën mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar

Ushtria izraelite vazhdon të shënjestrojë drejtpërdrejt strehimoret civile në Gaza me sulme që shkelin ligjet e luftës. Shkolla “Fahmi al-Jarjawi” ishte një nga të ashtuquajturat strehë të sigurta për familjet që kishin shpëtuar nga bombardimet shumë herë më parë.

Shumë herë janë shënjestruar shkollat, spitalet, qendrat e refugjatëve dhe zonat e banimit që duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar.

Pamjet e sulmit ajror të ushtrisë izraelite në shkollën “Fahmi al-Jarjawi”, ku palestinezët e zhvendosur po strehoheshin, treguan tenda të djegura rreth shkollës, shumë fëmijë të vrarë ose të plagosur dhe civilë që përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve.

Kategoritë
BotaLajme