Aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, vendosen 120 karrige me mesazhe kritikuese për deputetët

Aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, vendosen 120 karrige me mesazhe kritikuese për deputetët

“Ky nuk është serial – është shteti ynë”, “Deri kur?”, “Cirku i demokracisë”, “Për çka ju kemi zgjedhur?”, “120 rroga – 0 përgjegjësi”, “Boll” dhe mesazhe të tjera u vendosën në karrige

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kanë bërë një performancë simbolike lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Në mënyrë simbolike para Kuvendit të Kosovës u vendosën 120 karrige, aq sa ka institucioni legjislativ në Kosovë, mbi të cilat u shkruajtën mesazhe të ndryshme kritike lidhur me vonimin e krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Disa nga mesazhet e vendosura në karriget simbolike ishin: “120 rroga, 0 përgjegjësi”, “Deri kur?”, “Cirku i demokracisë”, “Ky nuk është serial – është shteti ynë”, “Për çka ju kemi zgjedhur?”, ishin disa nga mesazhet që u përçuan në këtë aksion.

Aksioni u organizua pak para se të nisë përpjekja e 22-të për konstituim të Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës është bllokuar në pikën e votimit të kandidates për kryetare të Kuvendit të Kosovës tash e afër një muaj e gjysmë. Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet.

Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Kategoritë
LajmeVendi