Në mbledhjen e djeshme të kabinetit të luftës së Izraelit u vendos të nisë procesi i mobilizimit të 60.000 rezervistëve shtesë si hyrje për operacionet e reja të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.
Sipas planit, mobilizimi do të zhvillohet gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa operacioni i ri në qytetin e Gazës pritet të fillojë pas dy javësh.
Ky vendim tregon se të gjithë anëtarët e qeverisë, si pjesë e kabinetit të luftës, kanë hedhur poshtë çdo formë marrëveshjeje lidhur me Rripin e Gazës, ndërkohë që shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, pavarësisht kundërshtimeve, ka mbështetur planet e operacionit.
Ofensiva e re vjen pasi së fundmi janë publikuar dokumente të ushtrisë izraelite ku shënohen rezultatet e operacionit Gideon.
Dokumenti i brendshëm ushtarak zbuloi dështimin e operacionit Gideon në Rripin e Gazës.
Në dokument pranohet se ushtria izraelite ka bërë “të gjitha gabimet e mundshme” gjatë zhvillimit të luftës, duke theksuar se operacioneve ushtarake u mungon një kornizë kohore e qartë.