Me reagime të shumta që nga Presidentja e zyrtarë tjerë të shtetit është pritur ditëve të fundit informacioni se xhandarmëria serbe hyri në territor të Kosovës në veri, kidnapoi një qytetar dhe u largua.
Por, kjo nuk është hera e vetme që forcat serbe së fundmi kanë kaluar në Kosovë.
Dukagjini posedon që nga mesi i tetorit një video sesi forcat serbe hyn në vend por kah veri-lindja, saktësisht në fshatin Rakinicë, në afërsi të Orllanit të Podujevës.
Por, televizioni ka qenë në pritje të një konfirmimi për rastin nga Policia e Kosovës, pyetjet të cilëve u janë drejtuar që nga 20 tetori dhe ende nuk ka një përgjigje.
Megjithëkëtë, konfirmimin e krejt ngjarjes e ka bërë misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.
“Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Vijës Kufitare Administrative të Serbisë”.
Televizioni ka komunikuar edhe me banorët e asaj ane dhe ata të cilët kanë xhiruar por të njëjtit nuk kanë dashur të deklarohen, veçse kanë konfirmuar se njërit, ushtarët serbë ia konfiskuan edhe traktorin.
Pretendimet e tyre janë se gjithashtu forcat serbe i kanë ofenduar dhe sharë gjatë këtij ballafaqimi.
Pos Policisë së Kosovës që nuk është përgjigjur, televizioni ka kërkuar një reagim edhe nga Ministria e Brendshme dhe informacion nëse institucionet e sigurisë kanë qenë në dijeni për rastin, por as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Policia është reaguesi i parë i sigurisë në vend e KFOR-i i treti, megjithëse misioni i NATO-s është përgjegjës për sigurinë e kufijve mes Kosovës e Serbisë.









