UNRWA: 92 për qind e shtëpive në Gaza janë shkatërruar nga lufta izraelite

“Familjet në Gaza përballen me shkatërrim të paimagjinueshëm. Sipas Grupit të Mbrojtjes, 92 për qind e shtëpive janë dëmtuar ose shkatërruar”, tha UNRWA në një deklaratë

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha se lufta e vazhdueshme e Izraelit ka shkatërruar 92 për qind të shtëpive palestineze në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Familjet në Gaza përballen me shkatërrim të paimagjinueshëm. Sipas Grupit të Mbrojtjes, 92 për qind e shtëpive janë dëmtuar ose shkatërruar”, tha UNRWA në një deklaratë.

“Njerëz të panumërt janë zhvendosur disa herë dhe strehimi është i pakët”, thuhet në deklaratën ku përsëritet thirrja për heqjen e rrethimit izraelit ndaj enklavës palestineze.

Që nga 2 marsi, Izraeli i ka mbajtur të mbyllura kalimet në Gaza për ushqim, ndihmë mjekësore dhe humanitare, duke thelluar një krizë tashmë të rëndë humanitare në enklavë, sipas raporteve qeveritare, të të drejtave të njeriut dhe raporteve ndërkombëtare.

Të dielën, ushtria izraelite filloi ofensivë të gjerë tokësore në territorin e shkatërruar nga lufta.

Ushtria izraelite ka ndërmarrë ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë më shumë se 53.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

Kategoritë
BotaLajme