U zbulua plani gjerman prej 80 miliardë eurosh: Do të blejë armë nga Evropa, vetëm tetë për qind nga amerikanët

Plani i ri gjerman për blerje ushtarake, në të cilin ka pasur qasje Politico, tregon se Berlini do ta drejtojë programin e tij masiv të armatosjes kryesisht te industria evropiane, ndërsa vetëm tetë për qind do të shkojë për armë amerikane.

Plani i prokurimit tregon se Gjermania është e përgatitur të realizojë pothuajse 83 miliardë euro kontrata gjatë vitit të ardhshëm. Lista, e hartuar për komisionin e buxhetit të parlamentit gjerman, përmban 154 blerje të mëdha mbrojtjeje ndërmjet shtatorit 2025 dhe dhjetorit 2026.

Sipas ligjit gjerman, çdo kontratë me vlerë mbi 25 milionë euro duhet t’i dorëzohet parlamentit për miratim. Në ato dokumente, projektet që drejtohen nga kompanitë amerikane shfaqen vetëm në disa raste.

Artikujt e vetëm të mëdhenj me kontraktorë amerikanë janë rreth 150 milionë euro për torpedo të lidhura me avionët Boeing P-8A dhe afërsisht 5,1 miliardë euro për raketat kundërajrore MIM-104 Patriot dhe lëshuesit e tyre nga Raytheon.

Duke përfshirë edhe blerjet e tjera amerikane në listë – nga raketat AMRAAM dhe ESSM deri te paketat e radios – shuma totale arrin në rreth 6,8 miliardë euro, që përbën rreth tetë për qind të planit gjerman, ndërsa pjesa tjetër, në shumicë absolute, shkon për industrinë evropiane.

Vitet e fundit, Gjermania ka qenë një nga blerësit më të mëdhenj të armatimit amerikan.

Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, Berlini ka miratuar mbi 17 miliardë dollarë shitje të huaja ushtarake ndërmjet viteve 2020 dhe 2024, duke arritur një rekord prej 13,9 miliardë vetëm në vitin 2023, gjë që nënvizoi kërkesën e shtuar pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Ajo valë blerjesh për pak kohë e bëri Gjermaninë një nga destinacionet më të mëdha për eksportin e armëve amerikane, përkrah Polonisë dhe Japonisë. Tani Gjermania duket se po e zhvendos fokusin drejt industrisë evropiane.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Studime të Paqes (SIPRI), anëtaret evropiane të NATO-s blenë 64 për qind të armatimit të tyre nga SHBA ndërmjet 2020 dhe 2024.

Në korrik, pasi arriti një marrëveshje tregtare me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti amerikan Donald Trump u mburr se BE-ja do të blinte “sasi të mëdha” armësh amerikane me vlerë “qindra miliarda”.

Por shpenzimet e mbrojtjes në Evropë nuk vendosen në Bruksel, por në qeveritë kombëtare. Dhe në Berlin, shifrat tregojnë një histori tjetër.

Projektet më të mëdha

  • Programi i fregatave F-127: i dizajnuar nga kompania gjermane TKMS, me kosto të parashikuar 26 miliardë euro, pritet të shqyrtohet në qershor 2026. Anijet do të ofrojnë mbrojtje kundërajrore dhe kundërraketore me rreze të gjatë për marinën.

  • Eurofighter Tranche 5: Airbus, BAE Systems dhe Leonardo janë përfshirë në projekt, me 4 miliardë euro të planifikuara për miratim në tetor 2025 për avionë të rinj dhe edhe 1,9 miliardë për përmirësimin e radarëve.

  • Automjetet e blinduara Boxer: më shumë se 3,4 miliardë euro për blerje shtesë në tetor, të ndërtuara nga Rheinmetall dhe KNDS.

  • Tenk i ri “gjuetar”: 3,8 miliardë euro për zhvillimin e një modeli të ri.

  • Modernizimi i raketës Taurus: 2,3 miliardë euro, planifikuar për miratim në dhjetor. Ky projekt është i ndjeshëm politikisht për shkak të presionit nga Kievi për dërgimin e këtyre raketave në Ukrainë.

Fokus në mbrojtjen kundërajrore dhe dronë

Plani parashikon gjithashtu:

  • mbi 300 milionë euro për njësi shtesë IRIS-T SLM;

  • 755 milionë për raketa të lëshuara nga anijet;

  • 490 milionë për raketa të reja me rreze të shkurtër.

Eurodrone, një projekt i Airbus, Dassault dhe Leonardo, ka probleme me vonesa dhe kosto të larta, por Berlini planifikon 196 milionë euro për zhvillimin e sistemit të tij të “zbulimit dhe shmangies”.

Edhe marina përfiton:

  • 1,7 miliardë euro për modernizimin e fregatave F-123;

  • qindra milionë për sisteme kundër nëndetëseve dhe torpedo të reja.

Dokumenti liston gjithashtu dhjetëra kontrata më të vogla, por domethënëse: 274 milionë euro për një anije ndihmëse të flotës, si dhe qindra milionë për automjete të reja, radarë, dronë dhe municion të të gjitha kalibrave.

Në tërësi, plani paraqet një përpjekje gjithëpërfshirëse modernizimi që prek çdo degë të forcave të armatosura gjermane.

Kategoritë
BotaLajme